Gjendja shëndetësore e ish-presidentit kubanez Raúl Castro është bërë objekt diskutimesh të shumta në rrjetet sociale dhe në mediat ndërkombëtare gjatë ditëve të fundit.
Të lidhura
None found
Raportime të ndryshme pretendojnë se 95-vjeçari ndodhet në një situatë kritike, ndërsa autoritetet kubaneze nuk kanë dhënë deri tani asnjë konfirmim zyrtar.
Sipas “Diario de las Américas”, Castro përballet me probleme të rënda shëndetësore dhe dyshohet se po mbahet në jetë përmes aparaturave mjekësore. Kjo media ka hedhur gjithashtu hipotezën se ai mund të ketë pësuar një goditje në tru, duke iu referuar burimeve të veta. Në raportime të tjera është ngritur mundësia që ish-presidenti të jetë shtruar në spital.
Megjithatë, qeveria e Kubës nuk ka konfirmuar asnjë nga këto pretendime. Po ashtu, burime lokale të cituara nga mediat nuk kanë bërë të ditur ndonjë zhvillim të pazakontë në rrugët e Havanës.
Raúl Castro, i cili qëndroi në krye të Kubës si president deri në vitin 2018, është parë shumë rrallë në publik kohët e fundit. Daljet e pakta dhe pamjet e fundit të tij kanë shtuar pikëpyetjet lidhur me gjendjen shëndetësore.
Paraqitja e tij e fundit publike raportohet më 13 gusht. Ndërkohë, gjatë muajit korrik ai mungoi në ceremonitë për përvjetorin e sulmit ndaj kazermës Moncada, event në të cilin kishte marrë pjesë rregullisht për më shumë se tre dekada.
