Çështja e “Predator” është vënë sërish në qendër të vëmendjes në Greqi.
Të lidhura
None found
Skandali i përgjimeve përmes programit të paligjshëm Predator ka hyrë përsëri në debatin politik dhe atë gjyqësor, pas dy zhvillimeve të rëndësishme: ish-kryeministri Antonis Samaras ka kërkuar hetim të plotë të rastit, ndërsa tetë persona që pretendojnë se janë përgjuar kanë ngritur padi ndaj kompanisë Intellexa dhe ndaj atyre që i konsiderojnë përgjegjës, duke kërkuar 7,6 milionë euro dëmshpërblim.
Kjo çështje shpërtheu në vitin 2022, kur doli në pah se dhjetëra gazetarë, politikanë, biznesmenë, zyrtarë të lartë shtetërorë dhe oficerë të shërbimeve të sigurisë ishin vënë nën përgjim. Predator infektonte telefonat celularë përmes mesazheve që përmbanin lidhje të rreme. Në momentin që viktima klikonte mbi to, telefoni kthehej në një mjet përgjimi, duke u dhënë operatorëve mundësi të hynin në biseda, mesazhe, e-mail, fotografi, si edhe të përdornin mikrofonin dhe kamerën.
Mes emrave më të njohur të përfshirë në këtë skandal ishin kreu i PASOK-ut, Nikos Androulakis, gazetari Thanasis Koukakis, ish-kryeministri Antonis Samaras, ministri i Jashtëm Nikos Dendias, ministra të qeverisë, drejtues të ushtrisë dhe të policisë, si dhe një numër i madh zyrtarësh të tjerë. Disa muaj më parë, një gjykatë greke shpalli fajtorë në shkallë të parë katër drejtues të lidhur me rrjetin e Predator-it.
Tashmë Antonis Samaras, i përjashtuar një vit më parë nga Demokracia e Re dhe në një kohë kur përflitet se mund të krijojë një parti të re në kundërshtim me kryeministrin aktual Mitsotakis, i është drejtuar Prokurorit të Gjykatës së Lartë me kërkesën për një hetim të plotë lidhur me infektimin e telefonit të tij me Predator. Ai shprehet se prej kohësh i ka kërkuar qeverisë sqarime, por pa marrë përgjigje. Nga ana e saj, qeveria, përmes zëdhënësit, ka deklaruar disa herë se tashmë çështja i takon drejtësisë.
Paralelisht, tetë persona që figurojnë si të përgjuar nga Predator kanë dorëzuar një padi civile, me të cilën kërkojnë kompensim për cenimin e privatësisë dhe të të dhënave personale. Shtatë prej tyre kërkojnë nga një milion euro secili, ndërsa një tjetër kërkon 600 mijë euro. Procesi gjyqësor është përcaktuar të zhvillohet më 7 prill 2027.
Tetë paditësit janë gazetari Thanasis Koukakis, ekspertja e sigurisë kibernetike Artemis Seaford, ish-drejtuesja e Policisë Greke Pinelopi Miniati, ish-bashkëpunëtorja e eurodeputetit Stelios Kympouropoulos, Antonia Primpa, dy punonjëset e Shërbimit Informativ Grek (EYP), Angeliki Roussou dhe Zoi Maria Sakkali, avokati Ioannis Fytilis dhe gazetari Spyros Sideris.
Sipas padisë, pasojat e përgjimeve nuk kufizohen vetëm te jeta private e viktimave, por prekin edhe të dhëna tejet sensitive. Ish-drejtuesja e policisë, Pinelopi Miniati, pretendon se përmes telefonit të saj mund të ishin përgjuar komunikime me prokurorë, drejtues policie, diplomatë dhe zyrtarë të lartë shtetërorë, një element që, sipas paditësve, lidhet edhe me çështje të sigurisë kombëtare.
