Administrata e presidentit amerikan Donald Trump rikonfirmoi dje synimin për t’i ndërprerë Iranit “të gjitha burimet ekonomike”. Uashingtoni u dërgoi një paralajmërim edhe shteteve që vijojnë të “mbështesin” Teheranin, ndërsa pala iraniane premtoi se SHBA-ja do të pësojë “një humbje të re”.
Të lidhura
None found
Në një konferencë për shtyp në kryeqytetin amerikan, sekretari i Thesarit Scott Bessent njoftoi për përgatitjen e një vale të re sanksionesh të quajtura “dytësore”. Masat pritet të mos kufizohen vetëm ndaj Iranit, por të prekin edhe partnerët e tij tregtarë në fusha si ari, teknologjia, burimet dixhitale, aviacioni dhe transporti detar.
Bessent nuk dha një datë për hyrjen në fuqi të këtyre sanksioneve dhe as nuk përcaktoi shtetet që mund të vendosen në shënjestër të Uashingtonit. Mes tyre mund të jetë Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, e cila importon sasi të mëdha nafte nga Irani.
“Irani përballet me një zgjedhje shumë të qartë, midis vetëm dy rrugëve të mundshme: izolim i plotë ose një kthim në normalitet dhe mundësia e riintegrimit në ekonominë globale”, deklaroi Bessent.
Mesazhi amerikan u shtri edhe ndaj vendeve të tjera të botës. Sipas tij, shtetet që nuk iu bashkohen masave të SHBA-së duhet ose të ndihmojnë në “izolimin e Iranit”, ose do të përballen vetë me sanksione, përfshirë largimin nga “sistemi i dollarit”.
“Ne do t’i mbajmë të gjithë përgjegjës” nëse guxojnë të kundërshtojnë projektin për “mbytjen ekonomike të regjimit”, theksoi Scott Bessent, duke shtuar se “askush nuk duhet ta vërë në provë vullnetin tonë”.
