SHBA-ja me ndihmë të re ushtarake për Ukrainën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, gjatë një bisede telefonike më 4 tetor i tha homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, se SHBA-ja do t’i japë Kievit një pako të re të ndihmës së sigurisë në vlerë prej 625 milionë dollarësh, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Kjo pako do të përfshijë më shumë sisteme raketore me lëvizshmëri të lartë, të njohur si HIMARS, municione dhe makina të blinduara, u tha në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Biden “u zotua se do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, e cila po e mbron veten nga agresioni rus, për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, u tha në njoftim.

Presidenti amerikan po ashtu ka përsëritur se SHBA-ja është e gatshme “të vendosë kosto të rënda ndaj çdo individi, entiteti apo shteti që jep mbështetje për aneksimin e supozuar nga Rusia”.

Shtëpia e Bardhë tha se në këtë bisedë telefonike mori pjesë edhe nënpresidentja amerikane, Kamala Harris.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha përmes një deklarate se ndihma ushtarake prej 625 milionë dollarësh është pakoja e 22-të që SHBA-ja i ka ofruar Ukrainës që nga gushti i vitit 2021. Këto armë janë marrë nga stoqet e ushtrisë amerikane. Qëkur Biden është zgjedhur president i SHBA-së, Uashingtoni i ka ofruar Kievit ndihmë ushtarake në vlerë prej më shumë se 17.5 miliardë dollarësh.

“Aftësitë që ne po dërgojnë janë të zgjedhura në mënyrë të kujdesshme, me qëllim që ato të bëjnë dallimin në fushëbetejë dhe të forcojnë pozicionin e Ukrainës në tavolinën e bisedimeve kur të jetë koha e duhur për bisedime”, tha Blinken.

Zelensky më herët gjatë 4 tetorit nënshkroi një dekret që zyrtarisht shpall që çdo bisedim midis Kievit dhe presidentit rus, Vladimir Putin, do të jetë “i pamundur”.

Ky dekret zbatoi një vendim të Këshillit për Siguri dhe Mbrojtje Kombëtare të Ukrainës dhe formalizoi deklaratat e Zelenskyt, pasi Putin pretendoi se katër rajone të Ukrainës – që janë pjesërisht të pushtuara nga Moska – do të jenë pjesë e Rusisë. Kievi dhe Perëndimi i kanë quajtur këto pretendime të Rusisë si farsë.

“Ai [Putin] nuk e di se çfarë është dinjiteti dhe sinqeriteti. Prandaj, ne jemi të gatshëm për dialog me Rusinë, por me një president tjetër të Rusisë”, tha Zelensky më 30 shtator.

Në dekretin e nënshkruar nga Zelensky po ashtu thuhet se Ukraina do të përdorë mjetet ushtarake për të rimarrë kontrollin e territoreve që Rusia i ka pushtuar.

Ndërkaq, në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë u përsërit pozicioni i Uashingtonit se kurrë nuk do të njohë aneksimin e territorit ukrainas nga Rusia.

Dekreti i Zelenskyt po ashtu vjen në ditën kur forcat e Kievit raportohet se kanë thyer mbrojtjen ruse në jug të Ukrainës dhe po kanë zgjeruar një ofensivë të shpejtë në lindje, duke marrë kontrollin e territoreve në zonat që Rusia pretendoi se i ka aneksuar./rel