Në javët e fundit para largimit të Presidentit Joe Biden nga Shtëpia e Bardhë, Uashingtoni po vazhdon përpjekjet për të bllokuar eksportet energjetike ruse, duke vënë sanksione të reja me synimin për të frenuar të ardhurat që Moska i përdor për financimin e agresionit në Ukrainë, thotë Ndihmës Sekretari i Shtetit, Geoffrey Pyatt.
Gjatë dy javëve të fundit, zoti Pyatt ishte në Evropë dhe Azi për të diskutuar mbi sigurinë energjetike me vendet aleate dhe grupin G7 + Ukraine për çështjet e energjisë.
Në një intervistë me gazetaren Oksana Bedratenko të Zërit të Amerikës në gjuhën ukrainase, zoti Pyatt thotë se Evropa duhet ta shfrytëzojë 31 dhjetorin, data kur skadon kontrata mes Ukrainës dhe Rusisë për tranzitin e gazit, për t’i dhënë fund me vendosmëri varësisë së saj nga energjia ruse.
Ai thotë se qëndrimi i Evropës, e cila e sheh gazin e lëngshëm natyror amerikan (LNG) si mundësi që ofron zgjidhje për sigurinë energjetike të bllokut, është inkurajues. Zoti Pyatt thekson se madje edhe Japonia, e cila importon 10% të gazit nga Rusia, e kupton nevojën për të gjetur furnizues alternativë të energjisë.