Scholz: Putin shkeli parimin e paqes në Europë

Në të gjithë Gjermaninë pjesëmarrësit në marshimet tradicionale të Pashkëve edhe këtë vit duan të dërgojnë një sinjal për paqen dhe kundër luftës. Dita kryesore e marshimeve tradicionale është e shtuna e pashkëve, ku janë paralajmëruar rreth 70 marshime për paqen në Gjermani. Kancelari gjerman, Olaf Scholz (SPD) me rastin e ditëve të Pashkëve e rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen gjermane për Ukrainën dhe e argumentoi atë me interesat gjermane të sigurisë. Edhe zëvendëskancelari, Robert Habeck (Të Gjelbrit), ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock (Të Gjelbrit), dhe kreu i partisë në opozitë, CDU,  Friedrich Merz kanë publikuar mesazhe për Pashkët.

Scholz: Paqe pa liri do të thotë shtypje

Në një mesazh me video, kancelari, Olaf Scholz tha se “ne të gjithë e dëshirojmë një botë më paqësore”. Por paqja pa liri do të thotë shtypje. Paqe pa drejtësi nuk ka. “Prandaj ne e mbështesim Ukrainën në luftën e saj për një paqe të drejtë, për sa kohë që kjo do të jetë e nevojshme. Ne e bëjmë këtë edhe për ne, për sigurinë tonë.” Scholz akuzoi Rusinë nën presidentin Putin, se ka shkelur një parim të vlefshëm prej dekadash: që kufijtë nuk ndryshohen me dhunë. “Por ne e kemi në dorë, ta ribëjmë të vlefshëm këtë parim. Duke e mbështetur Ukrainën edhe më tej, të vendosur e me maturi.”

Habeck: Gjermania duhet të mbrohet nga sulme ushtarake

Ndërsa zëvendëskancelari gjerman dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck në një video të publikuar të enjten në mbrëmje në platformën X, tha se “ne e dëshirojmë paqen. Po. Por përgjigjja e hidhur dhe e vërtetë është: me gjasë nuk do të ketë fund të shpejtë e të mirë, edhe pse ne e dëshirojmë ndryshe.” Në lidhje me agresionin rus, Habekc theksoi, se “duhet të përgatitemi për gjendjen e kërcënimit. Çdo gjë tjetër do të ishte naive.” Prandaj Gjermania do të bënte mirë të investonte më shumë në sigurinë e saj. “Ne, Gjermania, BE, ne duhet të mbrohemi tërësisht, edhe nga sulmet ushtarake.”

Habeck theksoi, se ka respekt për pozicionet që për arsye morale apo bindje fetare në lidhje me dërgimin e armëve ne Ukrainë arrijnë në një konkluzion tjetër, ndryshe nga i tiji. “E kuptoj shumë mirë, që njerëzit kanë frikë nga një shkallëzim i luftës. Edhe unë jam i shqetësuar.” Habeck u shpreh kundër një “ngrirjeje të luftës”. “Edhe pse e kuptoj shumë mirë, se për shkak të numrit të lartë të viktimave flitet për ngrirje të luftës, aq shumë e harron ky pozicion atë, që vetëm ukrainaset dhe ukrainasit mund të vendosin, se cilin çmim do të ishin të gatshëm të paguanin, dhe me cilat kushte do donin të arrinin një armëpushim apo të merrte fund lufta.”


Shtuar 30.03.2024 09:29