Protestuesit përleshen me policinë turke në përvjetorin e tërmeteve shkatërrimtare

Protestues janë përleshur sot me policinë në Turqi, për përvjetorin e tërmeteve të përbindshme ku u vranë më shumë se 50,000 njerëz dhe u rrafshuan mijëra shtëpi në provincat qendrore e jugore.

Rreth 10,000 njerëz u mblodhën sot për të mbajtur zi për tragjedinë në juglindje të vendit teksa të tjerë protestonin për atë që pretendonin si neglizhencë të qeverisë.

Dridhjet shkatërrimtare me magnitudë 7.8 rrafshuan qyteza të tjera dhe pjesë qytetesh në juglindje të vendit dhe në Sirinë fqinje.

Në provincën Hatai, më e goditura në Turqi, njerëzit bënin thirrje sot për dorëheqjen e qeverisë dhe zyrtarëve lokalë gjatë mbajtjes së zisë përkujtimore.

Zija e sotme u mbaj para agimit në ora 4:17 kur goditi dhe tragjedia gjigante e një viti më parë.

Lule u hodhën në lumë si një akt kujtimi dhe një orkestër luante muzikë në nder të viktimave të shuara nga ngjarja.

Provinca turke Hatai, e cila gjendet mes detit Mesdhe eh kufirit me Sirinë, u godit më rëndë.

Rreth tre milionë njerëz mbeten të zhvendosur nga katastrofa dhe shumë mbeten në akomodime të përkohshme për dimrin e dytë radhazi.

Sipas shifrave vendase, 680,000 shtëpi ose u shembën ose u dëmtuan duke u bërë të pajetueshme, duke lënë mijëra njerëz në nevojë për strehim.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ishte zotuar të ndërtonte 319,000 shtëpi të reja deri në një vit pas tërmetit, por vetëm rreth 50 000 raportohet se janë kompletuar, ndërsa 200,000 njësi banimi janë ende në ndërtim, sipas autoriteteve.


Shtuar 6.02.2024 18:11