Qindra qytetarë dhe aktivistë të djathtë kanë dalë në protestë në Gjermani pas ngjarjes tragjike në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, ku u vranë pesë persona, pasi një person u fut me makinë në treg dhe përplasi qytetarët.
Sipas gazetës lokale të lajmeve Volksstimme, rreth 500-600 aktivistë të ekstremit të djathtë u mblodhën në Hasselbachplatz në Magdeburg, pas një thirrjeje nga partia e ekstremit të djathtë AfD.
Flamujt gjermanë u shfaqën në shesh, si dhe flamuj rusë dhe pankarta ku shkruhej “Atdheu dhe riemigrimi tani”.
“Ata që nuk e duan Gjermaninë, duhet të largohen nga Gjermania!” bërtisnin protestuesit. “Ne jemi populli”, “Jemi ngopur” apo “Nuk duam azilkërkues derra”, ishin disa nga parullat e tjera që u dëgjuan.
Ndërkohë, Policia ka ndërhyrë në një sherr që ka ndodhur mes dy personave të pranishëm në protestë.