Në Francë, vala e të nxehtit është zhvendosur edhe në arenën politike, pasi deputetët e Partisë së Gjelbër kanë depozituar një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, të cilën e akuzojnë se ka dështuar të përballojë situatën ekstreme që ka prekur vendin që prej fundit të qershorit.
Të lidhura
None found
Nisma mban firmat e 32 deputetëve të Gjelbër, 25 ligjvënësve nga partia e majtë radikale a France Insoumise dhe të një deputeti socialist. Shqyrtimi i saj në Asamblenë Kombëtare është parashikuar për 6 korrik. Sidoqoftë, gjasat që kjo lëvizje të rrëzojë qeverinë e pakicës të drejtuar nga kryeministri Sébastien Lecornu mbeten të ulëta, pasi partia e djathtë Tubimi Kombëtar ka njoftuar se nuk do ta mbështesë, ndërsa socialistët deri tani nuk kanë votuar në favor të mocioneve të ngjashme kundër ekzekutivit.
Zëdhënësja e qeverisë, Maud Bregeon, e sulmoi këtë iniciativë të opozitës, duke thënë se “qeveria po menaxhon krizën, ndërsa disa forca politike po përpiqen ta thellojnë atë përmes mocionit të mosbesimit”. Sipas autoriteteve franceze, që nga 20 qershori, vala e të nxehtit që ka përfshirë Europën ka sjellë të paktën 1 mijë vdekje shtesë në Francë.
Ndonëse temperaturat kanë zbritur nga rekordet e ditëve të fundit, në shumicën e territorit francez ato vijojnë të qëndrojnë rreth 30 gradë Celsius. Shërbimi meteorologjik Météo-France ka paralajmëruar se gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme vendi pritet të goditet nga një tjetër valë e të nxehtit.
Ende nuk është e qartë sa do të zgjasë, sa i fortë do të jetë dhe çfarë shtrirjeje gjeografike do të ketë ky episod i ri. Nëse konfirmohet, kjo do të jetë vala e tretë e të nxehtit këtë vit, ndërsa e para u shfaq në mënyrë të pazakontë që në muajin maj.
