Autoritetet daneze kanë akuzuar një anije luftarake ruse për lëshimin e dy fishekzjarrëve në drejtim të një helikopteri të Forcave Ajrore të Danimarkës në Detin Baltik.
Të lidhura
None found
Ngjarja u regjistrua të hënën pranë Gedserit, kur helikopteri danez Fennec po fotografonte fregatën ruse gjatë një operacioni rutinë monitorimi. Në atë moment, anija ndodhej në ujëra ndërkombëtare.
Sipas Forcave të Armatosura Daneze, njëri prej dy fishekzjarrëve kaloi shumë pranë helikopterit. Ministri danez i Mbrojtjes, Jeppe Bruus, bëri të ditur se ekuipazhi rus nuk tentoi në asnjë moment të vendoste komunikim me helikopterin përpara incidentit.
Ministria e Jashtme e Danimarkës e përshkroi ngjarjen si “krejtësisht të papranueshme”. Për të kërkuar sqarime, autoritetet daneze thirrën ambasadorin rus në Kopenhagë.
Edhe kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, reagoi duke e dënuar atë që ndodhi si një veprim “të pamatur”. Ajo deklaroi se sjellja e Rusisë ka për qëllim të “frikësojë dhe përçajë”.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm Lars Løkke Rasmussen e akuzoi Moskën se po zgjeron hap pas hapi kufijtë e sjelljes që ajo e vlerëson si të pranueshme.
“Kjo është diçka që nuk mund ta pranojmë”, tha Rasmussen, ndërsa paralajmëroi se veprime të tilla mund të vënë në rrezik sigurinë dhe jetën e personelit ushtarak.
Rusia ka dhënë një version tjetër për incidentin. Ambasadori rus në Danimarkë, Vladimir Barbin, deklaroi se rrethanat do të shqyrtohen me kujdes nga Moska, por njëkohësisht akuzoi helikopterët danezë se kishin kryer “manovra të rrezikshme” pranë anijeve luftarake ruse.
Barbin pretendoi se një ngjarje e tillë nuk ndodhte për herë të parë, duke shtuar se shqetësime të ngjashme i kishte ngritur edhe vitin e kaluar.
Diplomati rus argumentoi gjithashtu se vështirësitë në komunikim nuk burojnë nga anijet e Marinës Ruse, por nga pala daneze.
