Një drejtues i lartë i Hamasit, i dyshuar për mbajtjen e pengjeve izraelite në Gaza, është vrarë nga forcat izraelite, njoftuan Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe agjencia e sigurisë Shin Bet.
Të lidhura
None found
Në deklaratën e përbashkët të publikuar të martën bëhet e ditur se Adam Ibrahim Shaaban Nasman, i cili drejtonte operacionet e Brigadës së Hamasit në Gaza, u eliminua gjatë fundjavës.
Sipas autoriteteve izraelite, Nasman ishte komandant i Batalionit Nuhba dhe kishte drejtuar operacionin e militantëve të Hamasit brenda territorit izraelit gjatë sulmit të 7 tetorit.
Izraeli thotë se ai kishte mbajtur disa nga personat e rrëmbyer në atë sulm, përfshirë Romy Gonen, Emily Damari, Ziv dhe Gali Berman, Eitan Mor, Matan Angrest dhe Omri Miran.
Pas konfirmimit të vdekjes së Nasman, ish-pengu Zvi Berman reagoi në rrjetet sociale, ku përshëndeti operacionin dhe falënderoi forcat izraelite që e realizuan atë.
“Një copë tjetër mbeturinash është dërguar në deponinë gjigante të mbeturinave të Hamasit në ferr”, deklaroi ai.
IDF dhe Shin Bet pohuan se Nasman kishte ushtruar disa funksione kyçe në strukturat e Hamasit. Mes tyre ishin detyrat si oficer i inteligjencës në Brigadën e Qytetit të Gazës dhe si komandant i Batalionit Al-Shati.
Së fundmi, sipas autoriteteve izraelite, ai ishte angazhuar në përgatitjen e militantëve të Hamasit dhe në zgjerimin e aftësive ushtarake të grupit, duke përfshirë prodhimin dhe shpërndarjen e armatimeve.
Në deklaratë theksohej se “Forcat e Mbrojtjes së Izraelit dhe Shin Bet do të vazhdojnë të veprojnë kundër kërcënimeve dhe të ruajnë sigurinë e qytetarëve izraelitë”. Po aty shtohej se trupat izraelite do të vijojnë praninë e tyre në Gaza.
