Fredi Beleri shpallet zyrtarisht kandidat për eurodeputet! Nëse fiton heq dorë nga mandati si kryebashkiak i Himarës

Fredi Beleri, është shpallur zyrtarisht kandidat për eurodeputet i Partisë ‘Demokracia e re’ të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Mediat greke e kanë përfolur kandidimin e tij të mundshëm, ndërsa tashmë emri i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, është në listën e 42 kandidatëve të partisë së Mitsotakis për të cilët do kërkohet vota nga qytetarët grekë për zgjedhjet në parlamentin evropian.

Vet Beleri, i dënuar me dy vite burg për blerje votash ka pranuar që ka marrë ofertë nga partia e Mitsotakis për ta kandiduar për eurodeputet, përmes një reagimi.

Në një deklaratë pas prezantimit si kandidat, Beleri ka falenderuar Kyriakos Mitsotakis për mbështetjen e pandarë që i ofroi gjatë gjithë këtyre muajve, duke shtuar se “beteja që po bën nuk është personale. Është një betejë për shtetin ligjor dhe demokracinë, rregullat e së cilës duhet të respektohen nga të gjithë. Është një betejë për vlerat që përfaqëson Perëndimi dhe Europa dhe të cilat duhet të respektohen nga ata që duan t’i bashkohen familjes së madhe evropiane. Është një betejë për pjesën më të vuajtur dhe të padrejtë të helenizmit, minoritetin grek të Shqipërisë”.

Fredi Beleri në aktivitetin e Demokracisë së Re është përfaqësuar nga vëllai i tij, Leonardo, ndërsa është duartrokitur nga të pranishmit në momentin e shpalljes së emrit. Nëse Fredi Beleri, fiton mandatin si eurodeputet, ai heq përfundimisht dorë nga betimi për kryetar në Himarë. Ligji ynë ndalon që një kryetar bashkie të jetë deputet.

Kundër kandidaturës së Belerit janë shprehur ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgios Gerapetritis dhe këshilltarja për politikën e Jashtme pranë kryeministrit grek Aleksandra Papadhopoulou, sipas të cilëve vendosja e Belerit në listën e kandidatëve për eurodeputetë, do ta kthente këtë çështje në europiane nga një çështje dypalëshe me Shqipërinë.

Në Shqipëri po pritet Apeli u GJKKO për një vendim të formës së prerë për Fredi Belerin. Një vendim fajësie do të shpallte zgjedhje të parakoshme për Himarën ndërsa pafajësia do të bënte që Beleri të betohej si kryebashkiak.

Përveç Fredi Belerit, Mitsotakis, ka kandiduar për eurodeputet edhe shtangistin Piro Dhima.

Deklarata e Fredi Belerit nga burgu:

“Të dashur bashkatdhetarë të mi, sot kryeministri Kyriakos Mitsotakis më ofroi mundësinë për të kërkuar votën e popullit grek në zgjedhjet europiane të qershorit 2024. E falënderoj për këtë, por mbi të gjitha e falënderoj për mbështetjen e pandërprerë që më ka ofruar gjatë gjithë këtyre muajve që jam në burg. Beteja që po bëj nuk është personale. Është një betejë për shtetin ligjor dhe demokracinë, rregullat e së cilës duhet të respektohen nga të gjithë. Është një betejë për vlerat që përfaqëson Perëndimi dhe Europa dhe të cilat duhet të respektohen nga ata që duan t’i bashkohen familjes së madhe evropiane. Është një betejë për pjesën më të vuajtur dhe të padrejtë të helenizmit, minoritetin grek të Shqipërisë. Vëllezërit e mi që pas dekadash shtypjeje duan dhe kanë të drejtë të jetojnë të lirë dhe të qetë, pa frikë, në një vend që respekton të drejtat, nderin dhe pronën e tyre. I bëj thirrje çdo greku dhe gruaje të mbështesë votën e Demokracisë së Re, të mbështesë kryeministrin që po ndërton me vendosmëri një metodë për një Greqi të fortë dhe krenare, Kyriakos Mitsotakis”.


Shtuar 15.04.2024 21:38