Festa e ditëlindjes së Madonna-s në Korfuz dhe qëndrimi i saj në Greqi nuk mbetën vetëm në vëmendjen e mediave rozë, por u shndërruan në temë të një përplasjeje të ashpër politike mes deputetes së SYRIZA-s, Elena Akrita, dhe ministrit grek të Shëndetësisë, Adonis Georgiadis.
Të lidhura
None found
Debati nisi pas raportimeve në mediat greke se banorëve të fshatit Kouramades, në Korfuz, u ishte kërkuar t’i mbanin të mbyllura dritaret e banesave gjatë mbërritjes së artistes amerikane, për t’i garantuar asaj privatësi. Gazeta “Proto Thema” shkroi se Madonna hyri në fshat e shoqëruar nga një eskortë dhe me automjete të zeza, ndërsa dy rrugë u bllokuan për ardhjen e saj.
Një banor deklaroi për median greke se qytetarëve u ishte thënë të mos i hapnin dritaret dhe se në zonë ishin të pranishme edhe forca policore. Pikërisht këto raportime nxitën reagimin e Elena Akritës.
“Nëse kjo është e vërtetë, çështja nuk është nëse Madonna e kërkoi. Çështja është nëse banorët iu bindën”, shkroi deputetja në Facebook.
Më tej, Akrita e ashpërsoi qëndrimin, duke deklaruar se Greqia “nuk është një plantacion i Jugut ku përkulemi për të mbledhur pambuk, në mënyrë që të mos ia prishim ditëlindjen zonjës”.
Ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, iu përgjigj menjëherë, duke e akuzuar deputeten se nuk arrin të kuptojë vlerën që ka për turizmin e Greqisë vizita e një prej personazheve më të famshme në botë.
Georgiadis vlerësoi se qëndrimi i Madonna-s në vend, së bashku me fotografitë dhe publikimet e saj në rrjetet sociale, i siguruan Greqisë “reklamë falas me vlerë miliona euro”.
Sipas ministrit, një promovim i kësaj përmase në arenën ndërkombëtare sjell përfitime të drejtpërdrejta për sektorin e turizmit dhe për mijëra punonjësit e tij. Ai e kritikoi Akritën se “gjeti edhe këtu një arsye për t’u ankuar dhe për të parë gjithçka me pesimizëm”.
Replikat mes dy politikanëve grekë vijuan gjatë së shtunës dhe morën edhe karakter personal. Në këtë mënyrë, ditëlindja e Madonna-s hapi një diskutim më të gjerë për turizmin, trajtimin e privilegjuar të të famshmëve dhe vijën ndarëse mes promovimit të një vendi dhe respektimit të të drejtave të banorëve.
Madonna e shënoi 68-vjetorin më 16 gusht në Kouramades të Korfuzit, nën shoqërinë e partnerit Akeem Morris, fëmijëve dhe miqve të saj. Për festën ajo përzgjodhi një lokal tradicional, ku u shërbyen gatime vendase, pati muzikë greke dhe u thyen edhe pjata.
Pas festimeve, këngëtarja ndau në rrjetet sociale fotografi dhe video nga pushimet e saj në Greqi, duke e prezantuar Korfuzin përpara miliona ndjekësve që ka në të gjithë botën.
Përveç Madonna-s, mes emrave të njohur që zgjodhën Greqinë për pushimet verore të vitit 2026 janë edhe Justin dhe Hailey Bieber, Sofia Vergara, Matthew McConaughey, Nicole Kidman, Katy Perry, Kate Hudson, Goldie Hawn, Kurt Russell, Rita Ora, Michael Jordan, Kevin Hart dhe Ludacris.
