Një grua 39-vjeçare, nënë e pesë fëmijëve, humbi jetën në Delaware të SHBA-së pasi u godit nga plumbi i një gjuetari, i cili dyshohet se e kishte ngatërruar me një dre.
Të lidhura
None found
Ngjarja fatale u shënua në zonën e Ellendale. Santos Maria Chilel Soto, banore e Georgetown, po kalonte nëpër një fushë të hapur bashkë me një burrë dhe dy fëmijë, kur u qëllua nga 74-vjeçari Walter Moorehead, banues në Salisbury të Marylandit.
Policia Shtetërore e Delaware njoftoi se rreth orës 19:40, Moorehead ndodhej në një strukturë të ulët të kamufluar, nga ku gjuetarët fshihen për të mos u dalluar nga kafshët e egra.
Dyshimet e para të hetuesve janë se 74-vjeçari kishte besuar se kishte dalluar një dre dhe kishte qëlluar me pushkë. Predha përfundoi duke goditur Santos Maria Chilel Soton.
Efektivët e mbërritur në vendin e ngjarjes i dhanë ndihmën e parë gruas, përpara se ajo të dërgohej në një spital lokal. Megjithatë, 39-vjeçarja nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe u shpall e vdekur.
Moorehead u gjet në vendngjarje, ndërsa policia konfirmoi se ai ishte personi që kishte qëlluar. Ai u arrestua dhe hetimi iu besua Njësisë së Vrasjeve të Policisë Shtetërore të Delaware.
ndaj tij janë ngritur akuzat për vrasje nga pakujdesia, posedim të një arme zjarri gjatë kryerjes së një krimi dhe tre akuza për rrezikim të shkallës së parë. Pas pagesës së një garancie prej 43 mijë dollarësh, 74-vjeçari u lirua.
New York Post raportoi se Santos Maria Chilel Soto ishte me origjinë nga Guatemala dhe linte pas pesë fëmijë. Pas vdekjes së saj është nisur një fushatë për mbledhjen e fondeve në internet, me synim përballimin e shpenzimeve të funeralit dhe dërgimin e trupit të saj në Guatemala.
