Gjykata Rajonale e Magdeburgut në Gjermani ka vendosur dënimin me burgim të përjetshëm për Taleb Al Abdulmozen, pasi e gjeti fajtor për sulmin fatal në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, ku humbën jetën gjashtë persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën.
Ngjarja ndodhi më 20 dhjetor 2024, kur 51-vjeçari me origjinë nga Arabia Saudite, i cili kishte marrë azil në Gjermani, drejtoi një furgon të marrë me qira drejt turmës së njerëzve që ndodheshin në tregun e Krishtlindjeve në qendër të qytetit.
Të lidhura
None found
Si pasojë e sulmit, jetën e humbën një djalë 9-vjeçar dhe pesë gra, ndërsa më shumë se 300 persona mbetën të lënduar, me disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Menjëherë pas ngjarjes, autori u vu në pranga në vendin e sulmit.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Al Abdulmozen e kishte përgatitur prej kohësh këtë sulm, por nuk kishte vepruar për arsye ideologjike. Hetimi arriti në përfundimin se ai ishte shtyrë kryesisht nga motive personale.
“I pandehuri ishte dhe mbetet i interesuar vetëm për veten e tij”, deklaroi psikiatri që realizoi ekspertizën mjekoligjore, duke shtuar se ai vuan nga një “çrregullim narcisist i personalitetit” dhe ka një “nevojë të madhe për vëmendje”.
Taleb Al Abdulmozen kishte mbërritur në Gjermani në vitet 1990 dhe atje kishte fituar statusin e azilit. Ai kishte përfunduar studimet për mjekësi në Arabinë Saudite dhe më pas ishte specializuar si psikiatër në Gjermani.
Deri pak kohë para sulmit, ai ushtronte profesionin si psikiatër në një institucion të mbyllur psikiatrik në Bernburg, në landin e Saksoni-Anhaltit, ku trajtoheshin autorë veprash penale me probleme të shëndetit mendor.
Në vitet e fundit, ai ishte shfaqur publikisht si aktivist për të drejtat e grave në Arabinë Saudite dhe kishte qenë i përfshirë në mosmarrëveshje me një organizatë që ndihmon refugjatët.
Me vendimin e Gjykatës Rajonale të Magdeburgut, 51-vjeçari është dënuar me burgim të përjetshëm për një prej sulmeve më të rënda që kanë tronditur Gjermaninë në vitet e fundit.
