Jorgen Fenech, biznesmeni maltez i akuzuar se kishte organizuar dhe financuar vrasjen e gazetares investigative Daphne Caruana Galizia, është shpallur i pafajshëm nga një juri në Maltë.
Të lidhura
None found
Prokuroria pretendonte se Fenech kishte planifikuar atentatin, kishte urdhëruar ekzekutimin dhe kishte paguar autorët. Ai u akuzua në vitin 2021 për ndihmë dhe nxitje të krimit, por juria vendosi ta lirojë nga të dyja akuzat pas shqyrtimit të çështjes.
Caruana Galizia humbi jetën më 16 tetor 2017, pasi një bombë e vendosur në automjetin e saj shpërtheu pranë banesës. Ngjarja shkaktoi tronditje në Maltë dhe në Evropë, protesta të mëdha dhe një krizë politike që përfundoi me dorëheqjen e kryeministrit të atëhershëm, Joseph Muscat.
Fëmijët e gazetares, të pranishëm në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së vendimit, reaguan me një deklaratë në Facebook. Sipas tyre, vendimi i mohoi nënës së tyre drejtësinë që ajo meritonte.
“Nëntë vjet pas vrasjes brutale të Daphne-s, dështimet institucionale që lejuan vrasjen e saj mbeten të pazgjidhura dhe të pareformuara”, thuhej në deklaratë.
Fenech ishte personi i fundit mes gjashtë të akuzuarve për komplotin e vrasjes që u përball me një proces gjyqësor.
Gazetarja ishte e njohur për hetimet mbi korrupsionin dhe marrëdhëniet mes politikës e biznesit në Maltë. Në shkrimet e saj ajo kishte raportuar edhe për persona të afërt me kryeministrin e atëhershëm Joseph Muscat, si dhe për kompani të regjistruara në parajsa fiskale, të bëra publike përmes Panama Papers.
Para se të vritej, Caruana Galizia përballej me më shumë se 40 padi për shpifje.
Një hetim i pavarur, i publikuar në vitin 2021, arriti në përfundimin se shteti maltez duhej të mbante përgjegjësi për krijimin e një klime pandëshkueshmërie, e cila kishte ndikuar në vrasjen e gazetares.
Biznesmeni ishte pjesë e një konsorciumi që kishte marrë nga qeveria malteze një kontratë të diskutueshme për ndërtimin e një termocentrali.
Arrestimi i Fenech në vitin 2019, teksa po përpiqej të largohej nga Malta me jahtin e tij, shkaktoi protesta të mëdha dhe rriti presionin mbi qeverinë. Kjo situatë çoi përfundimisht në dorëheqjen e Muscat.
George Degiorgio dhe vëllai i tij Alfred pranuan në vitin 2022 se ishin fajtorë për vrasjen dhe u dënuan secili me nga 40 vjet burg.
Jamie Vella dhe Robert Agius u shpallën fajtorë për bashkëpunim në vrasje dhe, në vitin 2025, u dënuan me burgim të përjetshëm. Ata akuzoheshin se kishin siguruar bombën e përdorur për vrasjen e gazetares.
Vincent Muscat, i cili pranoi fajësinë në vitin 2021, u dënua me 15 vjet burg.
Një shofer taksie, që deklaroi se kishte vepruar si “ndërmjetës” në këtë çështje, përfitoi një falje presidenciale në vitin 2019 në këmbim të dëshmisë së tij.
