Bashkimi Evropian tha se ka ndalur procesin e pranimit të Gjeorgjisë dhe ka ngrirë 30 milionë euro ndihmë për Ministrinë gjeorgjiane të Mbrojtjes, pasi ligjvënësit e këtij shteti miratuan një ligj që është parë si masë për të shtypur disidencën.
Ambasadori i BE-së në Gjeorgji, Pawel Herczynski, u tha gazetarëve në Tbilisi gjatë një ngjarjeje më 9 korrik se blloku po shqyrton masa të mëtejme nëse situata në Gjeorgji “përkeqësohet edhe më shumë”.
Herczynski tha se ky vendim është në përgjigje të Ligjit kundërthënës për “agjentët e huaj”, i njohur edhe si Ligji për transparencë të ndikimit të huaj, por edhe për shkak të hapave të fundit antidemokratikë që ka ndërmarrë Qeveria gjeorgjiane.
“Ligji për transparencë të ndikimit të huaj qartësisht është kthim prapa dhe retorika antiperëndimore, antievropiane është në kundërshtim me qëllimin e deklaruar të shtetit për t’iu bashkuar BE-së”, tha Herczynski, duke shtuar se vendimi për të ndaluar procesin e pranimit të Gjeorgjisë në BE është ndërmarrë më 27 qershor.
Herczynski tha se shpreson që Tbilisi do të rishqyrtojë disa prej vendimeve të tij të fundit, pasi Qeveria e re të formohet pas zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në tetor.