Ditën e djeshme, presidenti rus Vladimir Putin ka festuar 70-vjetorin e lindjes.
Ditëlindja e tij e 70-të e gjeti Putinin duke punuar në zyrën tij. Përveç angazhimeve të tij për luftën në Ukrainë dhe jo vetëm, surprizat nuk munguan për Putinin.
Pyetjes së gazetarëve se çfarë dhurate i kishte sjellë Putinit për ditëlindje, presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, iu përgjigj ‘një traktor’.
Presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rahmon, tha se i dhuroi Putinit një grumbull të madh me bostan dhe shalqinj. Ndërsa liderët e tjerë nuk treguan nëse në Rusi kishin ardhur me duart bosh apo plot.
Një urim për shefin e Kremlinit erdhi edhe nga miku i tij i ngushtë, njëkohësisht një aktor mjaft I famshëm në perëndim.
“Sapo kuptova që sot është një ditë shumë e rëndësishme. Sot është ditëlindja e presidentit Putin. Thjesht mendoj se tani po jetojmë në kohë shumë të vështira, por ai është një nga liderët më të mëdhenj botërorë dhe një nga presidentët më të mëdhenj në botë”, deklaroi aktori Steven Seagal. Madhështia i erdhi nga Çeçenia. Lideri i këtij territori brenda Federatës Ruse, Ramazan Kadyrov, organizoi një paradë masive ushtarake, duke rreshtuar mijëra forca dhe mjete luftarake në Grozny, për të festuar ditëlindjen e mentorit të tij, Vladimir Vladimiroviç Putin.