Bombë për konsumatorët, veza dhe qumështi në rrugë nën temperatura të larta

Abuzime të mëdha bëhen në tregjet formale dhe informale të Tiranës me produktet ushqimore si vezët dhe qumështi, të cilat nuk ruhen dhe as tregtohen në kushtet e duhura.

Si pasojë e mungesës së kontrollit në këto tregje, tregtarët i ekspozojnë këto produkte në rrezet e diellit dhe i magazinojnë në vende të papërshtatshme.

Kushtet në të cilat duhen ruajtur këto produkte është deri në 4 gradë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet praktikuar procesi i të ekspozuarit të tyre në diell, pastaj të futen në frigorifer dhe të nesërmen të tregtohen sërish.

Emisioni Fiks Fare nëpërmjet një vëzhgimi zbuloi se tregtarët nuk i zbatojnë këto kushte duke rrezikuar kështu jetën e konsumatorit.

Për më tepër ata pohojnë: “ I lëmë vezët edhe në magazinë “me plas” 1 muaj, 1 javë. I kam mbajtur edhe me arka për 15 ditë vezët në mes të dyqanit.

Qumështin nëse nuk shitet e fus në frigorifer dhe e nxjerr ditën tjetër. Tre ditë mund të më ketë shkuar kështu.

Në një prononcim për Fiks Fare Hasan Stafa, Drejtori i Ankesave në Shoqatën për Mbrojtjen e Konsumatorëve, deklaron se tregu i rrugës është një nga problemet më të mëdha të konsumatorëve për mënyrën sesi tregtohen produktet ushqimore si veza dhe qumështi. Kjo sepse është i pakontrolluar dhe institucionet nuk veprojnë. “Vetëm në muajin korrik të këtij viti, janë shënuar 16 raste të kontaminuara, që është një situatë alarmante për vetëm 5 ditë.

Kushtet e ruajtjes për vezët dhe qumështin janë deri në 4 gradë dhe kurrsesi nuk duhet të praktikohet procesi i të ekspozuarit njëherë në ambjent të hapur, ku tani arrijnë temperaturat deri në 40 gradë, pastaj të futen në frigorifer dhe më pas pas t’i ekspozosh sërish të nesermen në treg. U them qytetarëve të mos konsumojnë produkte të rrugës duke menduar se janë nayrale dhe bio, sepse në të vërtetë janë ‘bombë me sahat’” përfundon z. Stafa./Top Channel


Shtuar 7.07.2021 21:22