Blushi sulmon masën ndaj Bardhit e Balliut: Dënim politik me urdhër të Ramës! Mos u çuditni nëse i përjashton krejt deputetët e opozitës

Sanksionin me 60 ditë përjashtim nga punimet e Kuvendit, i ndjekur ndaj dy deputetëve demokratë Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, e ka kundërshtuar me forcë deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi. Masa disiplinore erdhi pas tensioneve dhe incidentit në sallën e Parlamentit, kur kryeministrit iu hodhën vezë dhe shishe me ujë.

Duke folur në emisionin “Minuta e Parë” të News24, Blushi e përshkroi sanksionin si një dënim të natyrës politike, të dhënë me urdhër të drejtpërdrejtë nga kryeministri Edi Rama, dhe jo si akt i vetë parlamentit. Në të njëjtën kohë, ai e mbrojti sjelljen e opozitës brenda sallës së Kuvendit.

Të lidhura

None found

Sipas tij, vendimi nuk doli nga Kuvendi, por ishte një dënim i urdhëruar dhe i përllogaritur nga Rama. Ai kujtoi datën 8 tetor, kur, sipas deputetit të PL-së, kryeministri “dënoi” me votimin e hartës së re të shpopullimit dhe shkombëtarizimit të Shqipërisë, ndërsa tani, në vazhdim të dënimeve politike, i ka dënuar dy deputetë të nderuar të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Blushi paralajmëroi se askush nuk duhet të çuditet nëse sot, nesër ose më vonë, Rama dënon dhe përjashton të gjithë deputetët e opozitës.

I pyetur nëse goditja e kryeministrit me vezë e ujë ishte shkaktari i masës disiplinore, Blushi theksoi se çdo reagim kundër mazhorancës mbetet i ligjshëm, kur ballafaqohet me atë që ai e quan akt kriminal e diktatorial.

Në fund të deklarimit, deputeti i Partisë së Lirisë e cilësoi vendimin si akt diktatorial e kriminal, i marrë nën diktatin e Ramës, duke theksuar se këtë e kanë dëshmuar edhe vetë deputetët e PS-së, të cilët kanë vepruar nën presion, shantazh e deri në linçim të familjarëve të tyre. Sipas Blushit, bëhet fjalë për një kryeministër që vazhdon të jetë kryetar i një organizate kriminale dhe që në mënyrën më mafioze shkel çdo ditë Kushtetutën, ligjet e Republikës dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.


Shtuar më 12.10.2026 16:14