Bllokimi për 6 orë i’u kthye në makth, Mark Zukenberg pritet të detyrohet të shesë Instgram dhe WhatsApp

Dita e djeshme ku u bllokuan për më shumë se 6 orë rrjetet sociale si Facebook, Instagram dhe WhatsApp ka risjellë edhe njëherë në vëmendje akuzat ndaj Facebook se ka monopolin e rrjeteve sociale në treg, duke e bërë të vështirë konkurrencën.

Mbi këtë bazë, Komisioni Federal i Tregtisë në SHBA ka nisur procedurat ligjore për të detyruar Facebook që të shesë dy kompanitë e tjera që zotëron, WhatsApp dhe Instagram.

Facebook e kundërshton duke theksuar se ai nuk pengon kompanitë e tjera që të rriten në treg dhe për këtë merr si shembull Tik Tok-un që për një kohë të shkurtër ka pasur një rritje të shpejtë.

Një proces i ngjashëm u ndërmor në qershor, ku një gjykatë e Uashingtoni rrëzoi kërkesën e autoriteteve duke deklaruar se ato nuk kishin dorëzuar provat e mjaftueshme që të faktonin se Facebook kishte monopolin në tregun e rrjeteve sociale.

Komisioni Federal i Tregtisë e modifikoi kërkesën në bazë të këtij vendimi dhe ka kërkuar sërish detyrimin me vendim gjyqësor të Facebook që të nxjerrë në shitje dy aplikacionet e tjera që zotëron.

Komisioni e ka bazuar padinë edhe në faktin që Facebook po shkrin në një server të vetëm komunikimet përmes tre platformave sociale që zotëron. Facebook mbrohet duke deklaruar se shkrirja është miratuar vetë nga ky komision.

Facebook bleu Instagramin në vitin 2012 për 1 miliardë dollarë dhe në 2014 bleu WhatsApp për 19 miliardë të tjera./albeu.com