Blerina Gjylameti akuzon Lulzim Bashën: Loboi kundër raportit për daljen e Shqipërisë nga monitorimi i KiE

Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, ka akuzuar në Parlament, Lulzim Bashën.

Gjylameti pretendon se Basha ka lobuar në grupin e të djathtëve në Strasburg që të votojnë kundër për daljen e Shqipërisë nga monitorimi nga Këshilli i Evropës.

Deputetja tha se kreu i PD vazhdon të përdorë të njëjtën mënyrë të të bërit politikë të vjetër.

Blerina Gjylameti: Ajo çfarë është shkruar në raportin e komitetit të monitorimit dhe u votua me unanimitet në asamble, ka qenë edhe meritë e opozitës. Por nuk mund të lë pa i kthyer përgjigje një kolegu, që çfarë bën nuk e thotë e çfarë thotë nuk e bën, për ish ministrin e jashtëm, i cili këtu në Shqipëri reporterit i thotë pro daljes nga monitorimi, ky dashnor i procedurave nuk shfrytëzon për të argumentuar kundër nëse kishte, as me gojë as me shkrim as me qendrime dhe as me prezencë fizike dhe nuk mori pjesë, më pas shkon dhe lobon në grupin e djathtëve që të kundërshtojnë daljen nga monitorimi, këto thikat pas shpine qe ia ka ngulur gjithmonë Shqipërisë e bëjnë fiks djalin e babait, inkoherenca, ligësia që e karakterizojnë.

Pas 29 vitesh Shqipëria doli dje nga lista e vendeve nën monitorim nga Këshilli i Evropës. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi me votë unanime rezolutën e Komitetit të Monitorimit të Këshillit të Evropës për Shqipërinë.

Pjesa më e madhe e anëtarëve të Asamblesë kanë vlerësuar reformat dhe progresin e bërë nga Shqipëria në 3 shtylla kryesore, shteti i së drejtës, demokracia dhe të drejtat e njeriut.

Në një reagim të tij, pas këtij vendimi, ministri i Jashtëm Igli Hasani falenderoi Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe raportuesin Ionut Stroe, për njohjen e reformave transformuese të drejtësisë në Shqipëri, luftën kundër korrupsionit dhe përparimin e Shqipërisë sa i përket të drejtave të njeriut dhe demokracisë./albeu.com


Shtuar 18.04.2024 16:18