Besimtarët në mbarë vendin kremtojnë Krishtlindjet

Nga jugu në veri, besimtarët festojnë sot Krishtlindjet, e nuk mungon tmosfera festive kudo në mbarë vendin, ku në kisha është mbajtur mesha e shenjtë.

Festimet në Shkodër
Në katedralen “Shën Shtjefni” u kremtua mesha e shenjtë nga arqipeshkëvi i Shkodrës Angelo Massafra, njëkohësisht President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Në mesazhin e tij arqipeshkëvi Massafra bëri thirrje për falje mes njerëzve, më shumë dashuri e solidaritet ndaj njëri-tjetrit. Po ashtu ai bëri edhe një thirrje për paqe kudo në botë, edhe në vendet ku lufta vijon ende.

Të lidhura

None found

Festimet në Durrës
Padyshim që festimet nuk mund të mungonin në qytetin e Durrësit. Mesha në vigjilje të Krishtlindjes u mbajt në Kishën Katolike Shën Dominiku në zonën e ish-Kënetës.

Festimet në Korçë
Në katedralen Ringjallja e Krishtit në Korçë besimtarët kanë pritur lindjen e Krishtit në meshën e udhëhequr nga mitropoliti i hirësi Johani.
Nga vetë qytetarët dhe turistët kanë ardhur urimet për më shumë paqe dhe dashuri.

Festimet në Fier
Në kishën Shen Gjergji të qytetit të Fierit, është mbajtur mesha e ngjalljes seë Krishtit dhe janë kryer shërbesat nga Metropoliti i Apolonisë dhe Fierit, Imzot Nikolla. Në mesazhin e tij drejtuar besimtareve të pranishëm, Imzot Nikolla tha se mesha e shenjte është përkujtimi i mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së Krishtit, i cili mposhti gjithçka që cenoi dinjitetin njerëzor, ndërkohë që besimtarët kanë dhënë mesazhe paqeje për të gjithë.

Festimet në Fushë-Arrëz
Edhe në Fushe Arrëz vigjilja e Krishtlindjes u prit në kishën Shën Jozefi të zonës, teksa besimtarët pritën lindjen e Krishtit me lutje për një botë më të mirë e pa luftëra. Prijësit fetar i ftuan besimtarët që në këtë vigjilje të shtrinin dorën e paqes dhe bashkimit teksa shtuan se bota më shumë se kurrë ka nevojë për të ndjekur shembullin e Krishtit.


Shtuar 25.12.2023 10:29