Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar mbrëmjen e së hënës kandidatin për Bashkinë e Rrogozhinës, Shkëlqim Hoxha.
Gjatë fjalës së tij Berisha tha se sot Shqipëria ndodhet në një gjendje të vështirë, për shkak të largimit të të rinjve nga vendi.
Ai theksoi se në14 maj duhet të vothet për ndryshimin e madh për t’i thënë ndal shpopullimit.
“Dua të ju them këtu se 14 maji vërtetë është një ditë në të cilën jeni të ftuar të ndryshoni me votën tuaj Rrogozhinën, në 14 maji ndryshimi është në duart tuaja, por zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet më të rëndësishme të zhvilluara nga 22 marsi i vitit 1992 e deri më sot.
Për të realizuar rëndësinë e jashtëzakonshme të këtyre zgjedhjeve, mjafton që secili nga ne, çdo banor i kësaj bashkie të mendojë për një moment; ç’po ndodh me Rrogozhinën në këto vite, ç’po ndodh me Shqipërinë në këto vite? Po ndodh një braktisje masive, sikur të mos ishte një dhe i bekuar, por sikur të ishte një tokë e mallkuar.
Ndërkohë që Rrogozhina është një bashki me potenciale të jashtëzakonshme për të begatuar, lumturuar, mëkëmbur të gjithë banorët e saj, për të mbajtur në trojet e veta, bijtë dhe bijat dhe për ti prosperuar ata më shumë se kudo tjetër. Pse atëherë ikin, çfarë ndodh me fëmijët tanë, çfarë ndodh me fqinjin tonë, me miqtë, të afërmit, fisin, kushërinjtë, pse ata ikin? Pse ne sot kemi më shumë se 1/3 e tyre të larguar dhe të tjerë që mendojnë të largohen sa më parë.
Në pamje të parë ky është një shpopullim i frikshëm. Nëse në 8 vite nga Shqipëria, Rrogozhina dhe çdo zonë e këtij vendi u larguan më shumë se 1/3 e popullatës. 937 mijë shqiptarë janë larguar vetëm në hapësirën e Shengen, mbi 1 milion në të gjithë botën.
Imagjinoni për një moment të vazhdojë kështu, të vazhdojë me këtë sistem me këtë qeverisje. Në 8 vitet e ardhshme, më shumë se kaq dhe pas 16 vitesh askush nuk e di sa qytetarë do kenë mbetur në Rrogozhinë, sa shqiptarë do kenë mbetur në Shqipëri.
A nuk është ky një apel, a nuk është ky një kushtrim për të përdorur në 14 maj votën për ndryshimin e madh, për ndryshimin për të cilin Shqipëria ka nevojë jetike për të marrë kthesën e madhe. Ka nevojë njëlloj si ajri, që zogu ka nevojë për të fluturuar, ka nevojë si i sëmuri për oksigjen.
Pse ndodh kjo miqtë e mi? Po të mos vinim nga diktatura këtë shpjegim ndofta dhe nuk do ta bëja, por ne e dimë mirë, më mirë se kushdo tjetër në Europë, se ç’do të thotë monizëm, sundim i një partie shtet, se ç’do të thotë kur të gjitha pushtetet merren në një dorë.
Monizmin e parë e kaluam në diktaturë komuniste. Ai bazohej në ideologjinë marksiste-leliniste dhe varfëroi shqiptarët si asnjë vend në botë.
Monizmi i dytë, ky i sotmi është një tragjedi kombëtare. Të gjitha pushtetet janë në dorën e një njeri i cili edhe presidentin e Republikës, e tall dhe përqesh sikur ta kishte një shërbëtor të vetin dhe jo përfaqësues. Një despot që nuk njeh ligj, që ska ligj, ska rregull, normë, standard, nuk ka flamur, ska nder, nuk ka asgjë”, u shpreh Berisha.
/AlbEu.com/