Belind Këlliçi: Në 12 vite shqiptarët detyrohen të largohen, më 11 maj kjo histori merr fund

Këtë të enjte, kandidati i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi, dha një deklaratë sot nga selia blu, teksa u ndal te fjala e Ramës dy ditë më parë, ku sulmoi mbështetësit e opozitës si autikë.

Këlliçi lexoi letrën e një nëne dërguar atij, e cila kritikon ashpër gjuhën e kryeministrit në fushatë zgjedhore, pasi cënon një kategori shoqërore si fëmijët e spektrit autikë.

Gjithashtu, Këlliçi shtoi se më 11 maj, do mbarojë historia e largimit të shqiptarëve nga vendi dhe populli do trajtohet me dinjitet.

Deklarata e Belind Këlliçi:

Nga kjo foltore më keni parë shpesh të dal e të denoncoj vjedhjet dhe makabritetet e Edi Ramës në këto 12 vite. Sot nuk do ta bëjë këtë gjë, sot jam këtu t’i jap zë letrës së një nëne, si një djalë i ri që mezi pret të krijojë familjen e tij dhe me shpresën së një ditë jo të largët do bekohem e do jem baba.

Më lejoni t’ju lexoj pjesë nga letra publike e zonjës E.B:

Pas 15 vitesh bashkëjetesë me autizmin, nga të cilat 10 vite ti ishe kryeministri im, jo vetëm që na injorove, femijët autik dhe familjet tona, por na zhyte thellë në trishtim, dhimbje dhe harresë. Po pse duhet unë të merrem me ty?

Sepse edhe pasi emigruam për të kërkuar atë që ti o njeri i paditur dhe i pamëshirshëm nuk arrite kurrë të na ofroje, hap televizorin, e etur për një lajm nga vendi im dhe të dëgjoj ty teksa i ekzaltuar përdhunon dhimbjen.

Ç’të të them… jeto mes autikësh, o i pashpresë. Jam e bindur se diçka do të të mësojnë, të duash pa ligësi. Tako prindër të fëmijëve autik dhe kupto dhimbjen. Një burrë shteti i jep prioritet kësaj çështjeje, siç bën pjesa tjetër e botës. Por çfarë flas unë për një shtet falso, që pasi punuam dhe luftuam, na përzuri me bisht ndër shalë, ne dhe fëmijët tanë.

Ne ikëm. Të tjerët janë ende aty. Lëri fëmijët autikë në dashurinë e prindërve të tyre, që shpesh i ushqejnë me qumësht të holluar me ujë. I kam parë me sytë e mi, por të lumtur, të rrethuar me dashuri.

Fatkeqësisht, ti e ke futur popullin në skutë dhe e shantazhon me një rrogë, me një biznes, apo ku ta di unë… sepse këtë bëjnë njerëzit e pamëshirshëm, delirantë e të sëmurë.

Zoti bekoftë shqiptarët kudo që janë. Zoti ua bëftë rrugën e kthimit më të lehtë. Dhe zoti ishalla të mëshiron ty… se unë nga sot nuk do ta bëj më.

Tani po të drejtohem unë ty, jo më si kreu i organizatës kriminale që ke 12 vite që e drejton, por si Kryeministër i vendit tim që ke DETYRIMIN t’u shërbesh shqiptarëve pa as edhe një dallim!

Ke 12 vite që i detyron shqiptarët të emigrojnë, pasi nuk ofron asnjë shërbim dhe financim për fëmijët specialë…

Ke 12 vite që i detyron të emigrojnë pasi fëmijët po vriten në oborret e shkollave…

Ke 12 vite që i detyron të emigrojnë pasi shqiptarët po vdesin në dyert e spitaleve, sepse nuk kurojnë dot fëmijët dhe familjaret me sëmundje tumorale…

Ke 12 vite që i detyron të emigrojnë pasi i ke kthyer shkollat në biznesin e preferuar të shpërndarësve të drogës…

Më 11 MAJ, kjo do të marrë fund pasi shqiptarët nuk janë dele e as popull i dorës së dytë siç i trajton ti.

Më 11 MAJ kjo histori do të marrë fund, pasi shqiptarët do të të tregojnë ty se jemi komb i ngritur mbi vlera dhe familja është thelbi i saj, e të gjithë bashkë do të punojmë e të bëjmë realitet atë thirrjen e dhimbshme të zonjës në fund: Zoti ua bëftë rrugën e kthimit në atdhe më të lehtë…


Shtuar 24.04.2025 15:40