Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka dalë me një reagim pas deklaratave të përfaqësuesve të VLEN-it, duke i akuzuar ata se po mbyllin sytë ndaj zhvillimeve që, sipas kësaj partie, cenojnë identitetin dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Sipas BDI-së, ky reagim vjen pikërisht në ditën kur shqiptarët, siç thuhet në kumtesë, po përballen me pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi emërtimet e rrugëve me përmbajtje dhe simbolikë shqiptare në Tetovë.
Të lidhura
None found
“Në ditën kur shqiptarët po përballen me pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi emërtimet e rrugëve me përmbajtje dhe simbolikë shqiptare në Tetovë, eksponentët e VLEN-it vazhdojnë të merren me BDI-në, duke përsëritur akuza të shteruara”, thuhet në reagim.
Partia opozitare vlerëson se përfaqësuesit e VLEN-it duhet të japin sqarime për zhvillimet e fundit në Tetovë, në vend që, sipas saj, të vijojnë me akuza ndaj opozitës.
“Në vend që të japin llogari se si u lejua rikthimi i emrave të periudhës jugosllave dhe zhbërja e një pjese të identitetit historik shqiptar në Tetovë, ata vazhdojnë të kërkojnë fajtorë aty ku nuk janë. Kjo është dëshmi e mungesës së vizionit, guximit dhe përgjegjësisë politike”, vlerëson partia.
Në reagimin e saj, BDI i referohet edhe raportit më të fundit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, duke nënvizuar se institucionet evropiane kanë shprehur shqetësim për ndikimin e konceptit të ashtuquajtur “Botë Serbe”.
“Ironia është se ndërsa VLEN nuk sheh asgjë problematike në drejtimin që po merr shteti, Parlamenti Evropian në raportin e tij më të fundit ka ritheksuar shqetësimet për ndikimin e konceptit të ashtuquajtur ‘Botë Serbe’ në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon. Institucionet evropiane e shohin rrezikun, e identifikojnë dhe e adresojnë atë publikisht. Por VLEN jo”, thuhet në kumtesë.
BDI rendit gjithashtu disa çështje për të cilat, sipas saj, VLEN ka zgjedhur të mos reagojë.
“VLEN nuk e pa problem sjelljen në qeveri të eksponentëve që promovojnë narrativat e ‘Botës Serbe’. Nuk e pa problem depërtimin e ndikimeve politike dhe ekonomike që burojnë nga ky koncept. Nuk e pa problem sulmin ndaj Balancuesit. Nuk e pa problem relativizimin e mekanizmit të Badenterit. Nuk e pa problem përpjekjet për dobësimin e pozitës së gjuhës shqipe. Nuk e pa problem as vendimin që sot po kthen në Tetovë emra dhe simbole të një periudhe që shqiptarët e kanë tejkaluar historikisht”, thekson BDI.
Në fund të reagimit, partia shprehet se do të vijojë të mbrojë të drejtat e shqiptarëve dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
“Parlamenti Evropian e sheh. Shqiptarët e shohin. Opinioni publik e sheh. Vetëm VLEN nuk e sheh. Dhe arsyeja është e qartë. Ata janë verbuar nga dy gjëra: nga jugonostalgjia e tyre dhe nga obsesioni i tyre me BDI-në”, thuhet në reagim.
BDI shton se “do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e fituara të shqiptarëve, identitetin kombëtar dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit, pavarësisht përpjekjeve të atyre që sot heshtin përballë kthimit të simboleve të së kaluarës dhe sulmeve ndaj arritjeve historike të shqiptarëve”.
