Bashkimi Evropian bie dakord për rritjen e pagave minimale

Shtetet e BE-së dhe Parlamenti Evropian kanë rënë dakord për standarde të përbashkëta për pagat minimale në Bashkimin Evropian. Sipas kryenegociatorit të Parlamentit Evropian, Dennis Radtke, kompromisi përfshin standarde se si do të vendosen, përditësohen dhe zbatohen pagat minimale. Përveç kësaj, ligji i propozuar parashikon që vendet e BE-së duhet të përcaktojnë plane veprimi për të rritur mbulimin e marrëveshjeve kolektive me 80 përqind të saj, konfirmoi politikani i CDU për Agjencinë Gjermane të Shtypit (DPA). Jeta e miliona punëtorëve do të përmirësohet ndjeshëm.

Vendet e BE-së njoftuan se pagat minimale duhet të përditësohen të paktën çdo dy vjet në të ardhmen. Ekziston një përjashtim për vendet që përdorin një mekanizëm indeksimi automatik. Kjo vlen për një periudhë katërvjeçare. Partnerët socialë si sindikatat dhe shoqatat e punëdhënësve duhet të përfshihen në procedurat për përcaktimin dhe përditësimin e pagave minimale.

Komisioni Evropian e përshëndeti marrëveshjen. Sipas Komisionit, direktiva e re nuk i detyron vendet anëtare të vendosin pagat minimale me ligj. Ai gjithashtu nuk përcakton as nivelin e përbashkët të pagës minimale në BE.

Komisioni i BE-së kishte propozuar një projektligj në tetor 2020. Me marrëveshjen që tani është arritur, ekzistonte sfida që traktatet e BE-së vendosin kufij tepër të ngushtë – sepse Bashkimit Evropian nuk i lejohet të vendosë nivele specifike pagash, por vetëm të nxjerrë udhëzime.

Ministri Federal i Punës Hubertus Heil (SPD) ishte i kënaqur me marrëveshjen. Kjo do të vendosë standarde të reja për një Evropë sociale. “Kushdo që punon duhet të jetë në gjendje të bëjë një jetesë të arsyeshme nga rroga e vet – kjo vlen në Stokholm dhe Lisbonë, sikur edhe në Berlin dhe Bukuresht,” shpjegoi Heil.

E majta kërkon më shumë tempo

Parlamenti i BE-së dhe shtetet anëtare tani duhet ta miratojnë zyrtarisht marrëveshjen. Më pas, shtetet anëtare kanë dy vjet kohë për të përfshirë këto rregulla në ligjet kombëtare. “Rregullorja e re e BE-së tani duhet të vendoset shpejt dhe më pas të zbatohet menjëherë edhe në Gjermani,” kërkoi Pascal Meiser, zëdhënës i të majtëve i politikës së sindikatave në Bundestag. Megjithatë, planet e tanishme të koalicionit qeveritar nuk shkojnë kaq “larg” dhe nuk parashikojnë ndryshime të mjaftueshme për të arritur marrëveshjen kolektive në Gjermani. Prandaj nevojitet një paketë gjithëpërfshirëse masash kundër dumpingut të pagave dhe për të forcuar sistemin e negociatave për tarifat kolektive.

Por Suedia dhe Danimarka janë shprehur kundër rregullores së miratuar ditën e martë. Ato e shohin këtë dokument si ndërhyrje politike në përcaktimin e pagave në vendet e tyre. Megjithatë, rregullorja paraqet sukses, sepse më shumë se 15 nga 27 shtetet anëtare i kanë mbështetur standardet e përbashkëta të pagës minimale.

Pagesat minimale prej 12 euro në Gjermani

Në Gjermani është vendosur javën e shkuar që paga minimale të rritet në dymbëdhjetë euro për një orë punë. Vendimi do të futet në fuqi në tetor. Gjermania tashmë ka një nga pagat minimale më të larta në BE. Vetëm në Luksemburg paguhet më shumë, sipas informacioneve nga Enti Federal i Statistikave dhe Ministria Federale e Punës. Megjithatë, shkalla e mbulimit të marrëveshjeve kolektive në Republikën Federale është shumë më pak se 80 për qind sa synohet tani me rregulloren e miratuar në Bruksel. /DW/