Basha premtoi heqjen e traut tek Rruga e Kombit, Rama: Nuk ka shans!

Kryeministri Rama i është përgjigjur deklaratave të Bashës në lidhje me traun në Rrugën  e Kombit.

“Cili tra do të hiqet?! Të hiqet trau dhe të fillojë nga e para rënia e gurëve, e dheut dhe bllokimi i rrugës nga bora, rrëshqitja e makinave dhe thyerja e qafës.

Dhe natyrisht që ne nuk mund të rrimë pa folur. Se këtu nuk jemi në një paradë bukurie, ata janë nisur për dasmë, ne jemi në një ndeshje” tha Rama nga Berati duke iu përgjigjur kështu Bashës.

Deklarata e Bashës:

Në prill Shqipëria voton ndryshimin, Kukësi voton ndryshimin dhe ndryshimi i parë për çdo shqiptare dhe shqiptar nga Konispoli në Podujevë, të jetë heqja e traut.

Nuk ka kaluar shumë kohë nga ai moment që na i mbushi zemrat me një besim si qytetarë të një kombi që ndërtoi tunelin më të gjatë në Ballkan dhe lidhi Shqipërinë me Kosovën. 8 vite me radhë ai që për 2 javë e gjysmë do të largohet me votën më masivë të shqiptarëve që duan ndryshim nuk bëri asgjë por përkundrazi i futi shkopinj nën rrota Kosovës, shkatërroi ekonominë tonë, uli në nivelin më të ulët marrëdhëniet ekonomike dhe politike midis dy vendeve tona.

Ne ndërtuam rrugën, ne ndërtuam tunelin, ai vuri traun! Sot dua t’jua përsëris jo vetëm banorëve të qarkut të Kukësit por çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, se vota më 25 prill për Partinë Demokratike, vota për numrin 9 është votë për heqjen e traut dhe çdo pengese midis Shqipërisë dhe Kosovës. Kostot e shtuara financiare që kanë ulur ekonominë, tregtinë midis dy vendeve tona do të zhduken.

Çdo pengesë do të zhduket dhe ne do të funksionojmë si një trup i vetëm dhe kështu do ta bëjmë të mundur që djemtë e Kukësit dhe vajzat e Kukësit të kenë mundësi të punojnë me dinjitet dhe Kukësi të kthehet në një qendër turistike, universitare dhe krenarie kombëtare për Shqipërinë dhe për Kosovën. Faleminderit nga  zemra për pritjen dhe si gjithmonë mbani maskat dhe distancën.

 

 


Shtuar 2.04.2021 19:14