Basha në familjen durrsake të zhgënjyer nga PS: Vijmë me plan pune (VIDEO)

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka qenë sot në një familje durrsake, të cilët janë shprehur se kanë kontribuuar për Partinë Socialiste, janë anëtarë të saj, por se janë të zhgënjyer.

“Kam tre fëmijë, dy në Itali emigrantë. Kam vite që jam pjesë e PS, po me kontribut. Votues dhe anëtar. Kam kontribuuar jashtë mase. U zhgënjeva jashtë mase”, tha kryefamiljari.

Basha tha se PD vjen me një plan punë dhe jo premtime boshe. Ai theksoi se zotimet janë pjesë e një plani për të cilin është punuar për dy vite, teksa në dorë e kanë qytetarët ndryshimin.

“Unë e kam kërkuar prej 2013 ndjesën, do e përsëris prapë sot. Problemin e legalizimeve duhet ta kishim mbyllur ne, nuk e mbyllëm. Ky erdhi me premtim për legalizime falas, kjo historia jote është ndër mijëra histori në Durrës dhe në gjithë Shqipërinë. Njësoj si me premtimet e tjera nuk e mbajti dhe për legalizimet. Më 25 prill është dita juaj. Ne kemi ardhur para shqiptarëve me plan pune jo premtime boshe. Tullumbacet elektorale e treguan se ku e çuan vendin. Edhe po të jesh anëtar i PS dhe po të vendosësh të vazhdosh me PS, një gjë të them duke votuar për ndryshimin më 25 prill i ke shërbyer familjes tënde, i ke shërbyer Shqipërisë. Angazhimet që kemi, zotimet që kemi dhe të gjitha ato që i kemi shpallur janë pjesë e një plani, nuk janë bërë dy muaj para fushate. Kemi dy vite që punojmë për çështjen e pronave, legalizimet për t’i dhënë zgjidhje kësaj plage. Ne kemi në dorë të bëjmë e zbatojmë planin, ju e keni në dorë ndryshimin me votë.

Do të takohemi prapë dhe pas 4 vitesh nëse këto premtime nuk janë realitet, nuk vij ta kërkoj më votën”, deklaroi Basha.


Shtuar 14.04.2021 10:02

Tags: ,