Bardhi beson në kualifikimin e Maqedonisë së Veriut në Botëror

Mesfushori Enis Bardhi ka besim se Maqedonia e Veriut ka ekip për t’u kualifikuar në kampionatin botëror “Katari 2022”. Ai shpreson që në plejof të shmangin njërën prej dhjetë përfaqësueseve më të mira të ranguara në FIFA. Maqedonia e Veriut ka siguruar plejofin për në Botëror, ndërsa shorti do të tërhiqet të premten.“Do të doja që një përfaqësuese që nuk është ndër dhjetë më të mirat në renditjen e FIFA-s. Por kushdo që të na bjerë, ne do të luajmë, do të përpiqemi të realizojmë ëndrrën. Në futboll nuk dihet kurrë, kushdo mund ta mposhtë këdo. Sidomos ne që do të nënvlerësohemi nga kundërshtarët dhe këtu mund të shohim shansin tonë”, ka thënë Bardhi të enjten në një intervistë për “ekipa.mk”.

Ai insiston se kualifikimi në Katar është i mundshëm për Maqedoninë e Veriut. “Besoj se Maqedonia mund të arrijë në Botëror”, është shprehur Bardhi.

Maqedonia e Veriut përfundoi e dyta në Grupin J me 18 pikë, ndërsa Gjermania shkoi si e para në Botëror. Bardhi shkëlqeu si kapiten në ndeshjen ndaj Armenisë në udhëtim, të cilën e fitoi Maqedonia e Veriut 5:0. U vlerësua një prej ndeshjeve më të mira të Maqedonisë së Veriut, ndërsa futbollisti shqiptar i Levantes shënoi “hat-trick”. Maqedonia e Veriut fitoi edhe përballjen e fundit të fazës kualifikuese ndaj Islandës në Shkup për ta siguruar plejofin. Për ndeshjen ndaj Armenisë, Bardhi thekson se ende nuk është në dijeni se çfarë ka bërë.

“Kam një ndjenjë që në njëfarë mënyre ende nuk jam i vetëdijshëm për atë që kam bërë në atë ndeshje në Jerevan, emocionet e mia ende po më mbajnë prapa. Mund të them se ishte një nga ndeshjet më të mira në histori që kemi luajtur. Shiriti i kapitenit më dha shumë motivim dhe jam krenar, veçanërisht kur mendoj se cilët lojtarë e kanë mbajtur atë në të kaluarën. Vetëm Goran Pandevi ishte kapiteni im dhe e di sa kontribuoi në këtë përzgjedhje. Edhe unë dua të kontribuoj dhe tani Stefan Ristevski e ndien të njëjtën gjë. Por në fund them gjithmonë se të gjithë jemi kapitenë dhe të gjithë jemi përgjegjës për atë që duhet t’i japim Përfaqësueses”, ka thënë Bardhi.

Bardhi thotë se edhe ndeshja ndaj Islandës ishte ndeshje sfiduese. Sipas tij, kërkonte një përgatitje të mirë mendërisht.

“Ne në Ppërfaqësuese jemi një grup që besojmë gjithmonë në atë që bëjmë dhe punojmë. Ne themi gjithmonë se nuk dorëzohemi, sepse gjithçka mund të ndodhë. Për sa kohë ka gjasa, ne duhet besuar. Kështu Rumania u pengua dhe ne ishim mendërisht gati për të fituar dy ndeshjet. Sidomos me Islandën, e cila ishte e vështirë për t’u luajtur, pasi presioni ishte i madh. Bëmë maksimumin dhe ia dolëm”, ka theksuar mesfushori i Levantes që garon në elitën e futbollit të Spanjës.

Bardhi nuk e ka fituar me Levanten asnjë prej ndeshjeve të edicionit aktual në La Liga.

“Jemi më mirë se dikur. Tani jemi të fokusuar për ndeshjen e radhës dhe presim fitore”, ka thënë ai.

Ai tregon se te Levante mori urime të shumta për paraqitjen e mirë ndaj Armenisë dhe vendin e dytë që dërgon në plejof.

“Të gjithë më uruan për fitoren. Të gjithë në Levante i kanë ndjekur paraqitjet e mia te Maqedonia. Nuk prisnin që të kishim kaq rezultate të mira, sepse jemi një vend i vogël dhe i panjohur në futboll. Por edhe kjo po ndryshon. Tani të gjithë kanë mësuar për ne nga paraqitja në Evropian dhe tani në plejofin e Botërorit. Ne ia dolëm dhe jam krenar që marr urime nga bashkëlojtarët e mi. Do të jetë e mrekullueshme të sigurojmë një vend në Kupën e Botës, është ëndërr e çdo lojtari”, ka thënë Bardhi. Bardhi, 26-vjeçar, për ekipin “A” të Maqedonisë së Veriut ka luajtur 42 ndeshje, ndërsa ka shënuar nëntë gola që prej marsit të vitit 2015. Krahas Bardhit, pjesë e Maqedonisë së Veriut janë edhe futbollistët e tjerë shqiptar, si Arijan Ademi, Visar Musliu, Ezgjan Alioski dhe Egzon Bejtulai.


Shtuar 25.11.2021 16:06