Banorët e Lumasit në ditën e dytë të grevës, dy prej tyre shfaqin probleme shëndetësore

Disa banorë të Lumasit në Kuçovë kanë hyrë në grevë urie me qëllim që të ndërpriten punimet për ndërtimin e ujesjellësit që prekin burimin e Sinecit.

Banorët kërkojnë të mos preket burimi, sepse sipas tyre, me atë vadisin tokat dhe mbajnë gjallë jetën në fshat.

Sot ata ndodhen në ditën e dytë të grevës dhe janë shprehur se nuk do të dorëzohen derisa fjala e tyre të dëgjohet.

Dy prej banorëve kanë probleme me hipertensionin dhe ilaçet që pinë duhet të konsumohen pas buke.

“Gjendja ime shëndetësore është e dobët. Pas vizitës së bërë nga mjekët, më thanë se unë nuk duhet të jem këtu pasi kam probleme të rënda. Unë u thash se do të rri këtu deri në vdekje dhe nuk tërhiqem. Unë i lutem kryeministrit që ta marrë njëherë mundimin dhe jo vetëm ai por kushdo që ka mend në kokë do na japë të drejtë. Ai vetë nuk do të vijë po të dërgojë një përfaqësues. Kam dhe diçka për Ardi Veliun që po drejton operacionin e policisë në Lumas, ku të gjithë po na marrin në tel se çfarë kemi bërë dhe ne kemi thënë se na kanë blindura. I bëjmë thirrje Ramës pasi ai është i pari i të gjithëve të verifikojnë gjendjen dhe të na thotë nëse nuk kemi të drejtë që të ikim ku të duam”, ka thënë një nga banorët.

Ndërkohë një tjetër banor në fjalën e tij ka deklaruar se i vetmi fajtor për dhunën e ushtruar ndaj tyre është Ardi Veliu.

“Jam prononcuar disa herë nëpër televizione dhe çështje tona janë që kryeministri të na shikojë me vëmendje pasi po na zhvat policia të gjallë, të merren masa për Ardi Veliun, na rrahin policët dhe thonë se kanë urdhër për ta bërë këtë. Nuk kemi punë me asnjë por me bashkinë e Kuçovës që na e shpërbëri këtë zonë dhe atë turistike e bëri që të mos jetojnë më hardhucat e breshkat jo ne si njerëz”, ka thënë ai./albeu.com


Shtuar 4.08.2021 14:25