Balluku poston videon, vesh çizmet dhe ecën mbi ujë (VIDEO)

Ministrja e Energjisë Belinda Balluku u shpreh sot se në Hidrocentralin e Banjës kanë filluar me sukses operimet tregtare, njësia e parë e Impiantit Fotovoltaik Lundrues për të prodhuar energji.

“Projekti përfshin instalimin e paneleve diellore mbi rezervuarin e hidrocentralit, duke shfrytëzuar kështu edhe rrezet e diellit për të prodhuar energji. Shumë shpejt do të nisë dhe faza e dytë ku do të instalohen edhe tre njësi të tjera lundruese” tha ajo.

Ministrja veshi çizmet dhe inspektoi nga ajër punën duke ecur mbi panelet që janë vendosur mbi ujë.

“Jemi të veshur me çizme që të na mbrojnë nga elektriciteti, rryma. Këto panele janë të dizenjuar për të mbajtur një farë peshe, riparime dhe gjithçka tjetër. Ky është një projekt pioner, që është aplikuar në liqenin e Banjës” tha ajo.

Me kalimin e situatës së vështirë nga koronavirusi, Balluku tha se pret që përpos turizmit të gjithë sektorët të rikthehen në normalitet.

“Ia dolëm gjatë COVID-it që të vijonim projektet, kjo tregon se do ja dalim në kohë normaliteti, edhe për shkak vaksinës që po shtohet dita ditës, numri ka arritur mbi 800 mijë doza dhe shifrat e pacientëve janë më të ulëtat në rajon, numri i vdekjeve gjithashtu. Përveç sektorit të turizmit që do të marrë benefitet e tyre” tha Balluku.


Shtuar 2.06.2021 17:32