Ish-futbollisti i Kombëtares, Igli Tare, u paraqit për të tretën herë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të hetimeve që prekin ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Që prej orës 10:00 të mëngjesit të së hënës, Tare ka qëndruar para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit për të dhënë llogari rreth një rezidence luksoze në zonën e Palasës. Sipas akuzave, vila është regjistruar në emrin e tij, por në thelb përbën një pasuri të fshehur të znj. Balluku, e cila tashmë ndodhet nën masën e sekuestros.
Sipas SPAK, faza fillestare e ndërtimit, deri në nivelin e karabinasë, u mbulua financiarisht nga Tare, ndërkohë që pjesa e mbetur e investimit u krye nga shoqëria “Alko Impex General Konstruktion”, në pronësi të Arbër Abazit. Kjo kompani dyshohet se përfitoi tendera gjatë periudhës kur Balluku ishte në krye të Ministrisë së Infrastrukturës. Ashtu si në paraqitjet e mëparshme, ish-sulmuesi, i cili po hetohet për pastrim parash, nuk pranoi të flasë me mediat teksa hynte e dilte nga godina e SPAK.
Të lidhura
None found
Pak kohë më parë, SPAK kishte vendosur sekuestro mbi një tjetër banesë luksoze, këtë herë në kompleksin “White Rock” në Dhërmi. Edhe kjo pronë figuron në dokumente si e Tares, por hetuesit kanë arritur në përfundimin se zotërohet në mënyrë indirekte nga ish-ministrja. Ndaj Ballukut po zhvillohen hetime për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, teksa ajo tashmë është marrë e pandehur për cenim të barazisë në disa procedura tenderimi me vlerë miliona euro.
Ajo ndodhet nën masa shtrënguese që përfshijnë ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe pezullimin nga detyra.
Rezidenca në Palasë
Vila në Palasë, e sekuestruar më 9 shtator, konsiderohet nga SPAK si “pronësi faktike” e Belinda Ballukut. Qysh në projekt, ajo ishte konceptuar si një ndërtesë e nivelit më të lartë, e pajisur me pishinë dhe vaska hidromasazhi të ngjashme me ato të hoteleve luksoze në ishullin e njohur grek të Santorinit. Kjo del në pah nga dy komunikime elektronike që Prokuroria e Posaçme i ka përfshirë në dosjen hetimore, të dërguara nga studio “Atelier 4”. Mesazhet datojnë në shtator 2020, pikërisht një muaj para se Igli Tare të nënshkruante kontratën e sipërmarrjes, duke u përdorur si mburojë për pronësinë reale.
Territori ku ngrihet vila e saj duket se përputhet me atë të një rezidence tjetër që besohet t’i takojë biznesmenit Arbër Abazi. Ky i fundit dyshohet se mori përsipër kostot e mbetura të ndërtimit, si shkëmbim për favorizimin e firmës së tij “Alko Impex General Construction”. Kjo e fundit u shpall fituese në tetor 2021 për një nga segmentet e Unazës së Madhe të Tiranës, një kontratë me vlerë rreth 2.7 miliardë lekë me TVSH.
Dy email-et e dërguara sugjerojnë se në atë kohë ndërtimi ishte ende në hapat e parë, por përmbajtja e tyre tregon se Balluku ishte e përfshirë nga afër për të pasur një vizion të detajuar të rezidencës që përfundoi së ndërtuari në vitin 2025. Madje, lë të kuptohet se studio e arkitekturës i kishte paraqitur më parë një tjetër variant projektues.
“Po t’i dërgoj një version të rishikuar. Koncepti ynë është që, edhe sikur një ditë të vendosësh ta japësh me qira, vizitorët të mund të përjetojnë të njëjtin nivel luksi si në hotel. Kalimet mes dy trupave të ndërtesës janë të zbukuruara me bimë kacavjerrëse në të dyja anët. Në njërin skaj të pishinës, një shkallë të çon tek një tryezë ngrënieje e vendosur në nivel me ujin, për të shijuar maksimalisht efektin e pafundësisë. Pjesa e pishinës përballë detit ka gjithashtu një sipërfaqe të posaçme për të mbajtur gota e pjata”, thuhet në njërin prej mesazheve.
Projekti ambicioz përfshinte gjithashtu vaska hidromasazhi të frymëzuara nga hoteli ‘Rocabella’ në Santorini, i njohur për mikpritjen e një klientele shumë të pasur. “Në dy krahët anësorë të shtëpive, në nivelin e hyrjes dhe të suitave, janë parashikuar dy vaska hidromasazhi (referoju hotelit Roccabella në Santorini)”, është sugjerimi i studios, e cila e informon se do t’i ofrojë opsione të ndryshme për dhomat e tipit suitë.
“Për suitat do të vijojmë punën me disa variante. Ndarjet e kuzhinës nga zona e ndenjes dhe e garderobës te master bedroom janë konceptuar si fizarmonikë. Një pjesë e madhe e hapësirave rreth pishinës janë trajtuar me dru tik për një ndjesi më të ngrohtë dhe pak si atmosferë jahti”, citohet teksti.
Në vijim, studio e arkitekturës e njofton se së shpejti do t’i paraqesë projektin në formën e renderit dhe sqaron: “nëse nuk të pëlqen, rikthehemi tek variantet me mermer blu”. Katër ditë më vonë, më 18 shtator, një tjetër email nga “Atelier 4” i dërgon Ballukut një dosje të detajuar me 11 faqe, e cila përmban planimetrinë dhe projektet e sipërfaqeve për dy vilat, të identifikuara si “Vilat binjake”.
Prona në fjalë ka një truall prej 478 metrash katrorë, shtrihet në dy nivele me një sipërfaqe totale ndërtimore prej 271.2 metrash katrorë dhe përfshin dy garazhe me përmasa përkatësisht 20 dhe 40 metra katrorë.
Prona në kompleksin “White Rock” në Dhërmi
Më herët, organi i akuzës kishte vendosur sekuestron mbi një tjetër rezidencë në jug të vendit, e cila ndodhet në kompleksin luksoz “White Rock” në Dhërmi, po ashtu e regjistruar në emër të Igli Tares. Në argumentimin e saj, Prokuroria e Posaçme kishte arritur në konkluzionin se kjo vilë përbënte një ryshfet të marrë në këmbim të një tenderi të dhënë për rindërtimin e godinës së Albcontrol-it, gjatë periudhës që Balluku drejtonte këtë institucion.
Përveç dyshimeve për korrupsion dhe pastrim parash në tetë raste tenderash (përfshirë Tunelin e Llogarasë, gjashtë lotet e Unazës së Madhe, si dhe ndërtimin e segmentit Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri-Shkozë me urat mbi lumin e Tiranës), hetuesit i kanë komunikuar ish-ministres një akuzë shtesë për “mosdeklarim apo fshehje pasurie”.
