Balla flet hapur: Meta i thirri zgjedhjet për të parë sa vota merr ai me Berishën në krahasim me Bashën

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka zhvilluar sot një takim me banorët e Lushnjës, bashki e cila më 6 mars do të ketë zgjedhje.

Gjatë fjalës së tij, Balla nuk ka kursyer ironitë ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit Ilir Meta. Për këtë të fundit, Balla tha se ka thirrur zgjedhjet e pjesshme vendore pikërisht në këtë moment jo për të respektuar Kushtetutën por për të parë sa vota merr ai bashkë me Berishën në krahasim me Bashën.

“Ata që kanë mbështetur PD-në, ata nuk e gjejnë më veten as tek Saliu që ka hyrë tek shtëpia e Ilirit, as tek Luli që ka vjedhur shtëpinë e Saliut, sipas asaj që thotë vetë Saliu. Të dy janë të së shkuarës dhe nuk kanë lidhje me të shkuarën. Unë nuk dua që demokratët e Lushnjes të japin votën. Këto zgjedhje në 6 mars, Ilir Meta i thirri jo për të respektuar Kushtetutën, se sipas rregullit zgjedhjet do ishin bërë verën e vitit të kaluar. Për Shkodrën Ilir Meta priti 6 muaj. Këto zgjedhje u thirrën për të parë se sa vota ka Saliu dhe Iliri bashkë, dhe sa ka Luli se di me kë do jetë. Unë e them troç. Nuk krahasohen dot kurrë punët që ka bërë PS, me ato që kanë bërë ato që nuk ekzistojnë. Këtë fushatë do e shfrytëzojmë. Sot jemi në dy lagje të rindërtuara të Lushnjës. Duhet të trokasim çdo derë. Duhen mbajtur shënim të gjitha pakënaqësitë e qytetarëve lushnjarë. Unë kam kritikat e mia për punët që duhen bërë në Lushnje. Duhen vëmendje, jo shumë fonde. Nga trotuarët, siguria e këmbësorëve dhe të gjitha. Ne po bëjmë një projekt me qeverinë gjermane, e cila prej disa kohësh ka financuar kanalizimet e ujërave të zeza. Falë Eriseldës, e cila ka treguar integritetin e duhur dhe komunikimin e duhur me donatorët. Qeveria gjermane nuk financon nëse nuk gjen qeverinë e duhur. Bashkia e Lushnjes ka fituar besimin e humbur prej disa kohësh të donatorëve të huaj.”, tha Balla./albeu.com