Fatjon Muçaj, një shqiptar që jeton në diasporë, ka denoncuar ndalimin e autokolonës me të cilën po udhëton nga Anglia drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në protestën e nesërme. Në një deklaratë për News24, ai tha se prej rreth katër orësh ndodhet i bllokuar në pikën kufitare të Nikshiqit në Mal të Zi, ndërsa autoritetet nuk i kanë dhënë asnjë shpjegim për ndalimin.
Sipas Muçajt, në këtë pikë kufitare janë ndaluar rreth 30 automjete. Ai pretendoi se pas bllokimit qëndron një urdhër, duke e lidhur atë me kryeministrin Edi Rama, pasi udhëtarët po vijnë në Shqipëri për protestën.
Të lidhura
None found
Ai sqaroi se disa makina të tjera janë ndalur gjithashtu, ndërsa një pjesë e pjesëtarëve të autokolonës kanë përdorur pika të ndryshme kufitare për t’iu shmangur pengesave.
Muçaj tha se vendimi për t’u larguar nga Shqipëria lidhej me mungesën e mundësive dhe me bindjen se punësimi duhet të përcaktohet nga aftësitë, jo nga paratë apo njohjet.
“Ne duam një vend të drejtë demokratik, që gjen punën përmes aftësive dhe jo mes lekut dhe mikut. Ndaj kam ikur. Shumica e shokëve të mi, që kemi qenë në shkollë bashkë, janë diplomuar dhe nuk kanë gjetur punë”, deklaroi ai.
Teksa pret një përgjigje nga autoritetet për lejimin e kalimit drejt Shqipërisë, shqiptari i diasporës u shpreh i vendosur se nuk do të heqë dorë nga pjesëmarrja në protestë. Ai deklaroi se, nëse do të jetë e nevojshme, do të ndjekë edhe rrugë ilegale dhe do të kalojë përmes maleve për të hyrë në vend.
“Por me asnjë formë nuk do të na ndalojë Edi Rama që do të hyjmë në vendin tonë. Do të vazhdojmë, do të ndjekim rrugë ilegale. Do të hyjmë dhe vijmë maleve. Ne kemi ikur me gomone e kamionë drejt Anglisë, jo më në Shqipëri!”, tha ai.
Diaspora pritet t’i bashkohet protestës së nesërme në Tiranë.
