Australia shënon temperatura rekord, vendi “pushtohet” nga zjarret

Disa zona të Australisë lindore, duke përfshirë Sidnein, shënuan temperatura rekord, të cilat vendi kishte më shumë se dy vite që nuk i kishte regjistruar.

Temperaturat në Australi shkuan mbi 40 gradë celcius, duke rritur në këtë mënyrë rrezikun e shpërthimit të zjarreve.

Ekipet zjarrfikëse po luftojnë për të shuar 40 zjarre në Uellsin e Ri Jugor.
Gjithashtu një vatër zjarr pranë Madgi , 250 kilometra në veriperëndim të Sidneit ka vënë rajonin në alarm.

Ekipet e zjarrfikësve u kërkuan banorëve të kërkonin strehime të sigurta në zonë pasi ishte tepër vonë për t’u evakuuar.

Bregdeti lindor i Australisë është prekur nga fenomeni i motit La Niña, i cili zakonisht shoqërohet me rritje të reshjeve gjatë dy viteve të fundit, duke rezultuar në reshje të mëdha shiu dhe përmbytje të përhapura. Në vitin 2022, Sydney regjistroi reshjet më të larta vjetore që nga fillimi i regjistrimeve në 1858.


Shtuar 6.03.2023 09:30