Asnjë gjurmë nga autorët e sulmit vdekjeprurës ndaj To Channel, policia kërkime edhe në Vlorë

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 12 orë nga sulmi vdekjeprurës ndaj godinës së Top Channel, nuk ka ende asnjë informacion për motivin dhe identitetin e autorëve të këtij akti kriminal, ku mbeti i vrarë roja i sigurisë së ambientit Kol Pala.

Policia po punon për idendifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa janë angazhuar forca policore edhe jashtë Tiranës, në Vlorë.
Gazetarja Jerola Ziaj tregon se arsyeja pse janë mobilizuar autoritetet në Vlorë është se mjeti me të cilin kanë udhëtuar autorët e sulmit ka lidhje me qytetin bregdetar.

Operacioni në qytetin e Vlorës ka nisur që në orën 02:00, pasi mendohet se automjeti Range Rover, me të cilin kanë udhëtuar autorët e sulmit ndaj godinës së Top Channel, ku mbeti i vrarë roja i sigurisë, ka lidhje me Vlorën.

Policia po vëzhgon kamerat e sigurisë për të parë nëse ky automjet ka lëvizur në Vlorë ditën e sulmit.

Sipas zyrtarëve policorë, tashmë janë krijuar disa pika kontrolli për kapjen e autorëve, por deri tani nuk ka asnjë të arrestuar.

Disa orë më vonë është gjetur një makinë e djegur, e cila dyshohet se u përket autorëve të aktit.

Brenda saj janë gjetur dy armë automatike.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, ka thënë në Facebook se “Policia e Shtetit është maksimalisht e përkushtuar për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë dhe për të vënë para drejtësisë autorët”.

Sulmi ndaj ndërtesës së Top Channel-it, është dënuar edhe nga presidenti i shtetit, Bajram Begaj, kryeministri, Edi Rama, kryeparlamentarja, Lindita Nikolla, krerët e partive opozitare, Enkelejd Alibeaj dhe Ilir Meta

/albeu.com/


Shtuar 27.03.2023 15:00