Arrestimi i Vangjush Dakos, dyshime për rrjedhje të informacioneve, ish-kryebashkiaku u mbajt në vëzhgim nga policia

Ish-kryetari i bashkisë Durrës, Vangjush Dako, u arrestua ditën e djeshme me urdhër të SPAK.

Dako akuzohet për shpërdorim detyre, në lidhje me një pallat të ndërtuar në qendër të qytetit të Durrësit, godinë e cila pësoi dëme të mëdha nga tërmeti i 2019-ës.

Urdhër-arresti ishte lëshuar ditën e premte, ndërkohë që u ekzekutua 4 ditë më vonë.

Dyshohet se ka pasur një rrjedhje të informacioneve dhe ish-kryebashkiaku është mbajtur nën vëzhgim.

Nga informacionet, gjatë këtyre ditëve nuk është larguar nga Durrësi dhe ka qëndruar pranë shtabeve elektorale. Që në momentin që Prokuroria bëri kërkesë për arrestim të tij, ishte nën vëzhgim nga policia.

Por kush është Vangjush Dako?

Vangjush Dako,inxhinieri i ndërtimit i shpallur non gratat nga SHBA-të me arsyetimin e përfshirjes së tij në raste të mëdha korrupsioni është bërë pjesë e administratës në Durrës që prej viti 2001, periudhë kur drejtonte shërbimin e policisë ndërtimore në këtë qark.

Në vitin 2004-2005, Dako mori drejtimin e hipotekës në këtë qark, duke e mbajtur si pozicion deri në kohën kur dha dorëheqjen për të kandiduar në zgjedhjet vendore të 2007-ës për kryetar bashkië në Durrës, si emër i propozuar nga Partia Socialiste.

Vitet e para të Vangjush Dakos në krye të bashkisë së Durrësit ishin të qeta.

Me afrimin e zgjedhjeve vendore të 2011-ës, Dako nisi të akuzohej gjithnjë e më shumë nga Partia Demokratike për korrupsion dhe shpërdorim me lejet e ndërtimit dhe betonizimin e qytetit.

Sakaq zgjedhjet e 25 qershorit të vitit 2017 ishin kulmi i shkëlqimit elektoral të Vangjush Dakos, megjithëse pak muaj më parë bashkia e drejtuar prej tij kishte dalë garante për lirimin e parakohshëm nga burgu të Lulzim Berishës, kreu famëkeq i bandës së Durrësit.

Më pas Dako u mënjanua nga jeta politikë, por akuzat e opozitës ndaj tij, sidomos pas publikimit të përgjimeve të Prokurorisë nga gazeta Bild u perforcuan. Përgjimet e dosjes janë bërë nga janari 2017 deri në shkurt 2018. Në përgjime doli se kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako kishte marrëdhënie të afërta me Avdulajt, e madje edhe drekonin bashkë./albeu.com/