Christopher Hill, i emëruari për postin e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Serbi tha të martën se Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet e saj me Kosovën, si parakusht për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
Hill duke dëshmuar para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë tha se SHBA-të do ta mbështesin fuqimisht dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian si shansin më të mirë për të dyja vendet që të zgjidhin mosmarrëveshjet”, tha Hill.
“Siç ka deklaruar Presidenti Biden, Shtetet e Basshkuara besojnë sese respekti reciprok, njohja reciproke është mënyra më e mirë për të ecur përpara”, tha Hill.
Ai e paraqiti çështjen e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, si një nga përparësitë që do të ndjekë nëse konfirmohet për postin e ambasadorit të Serbisë.
“Nëse konfirmohem, unë do ta inkurajoj Serbinë që të angazhohet fuqishëm dhe urgjentisht për të gjetur një rrugë përpara me fqinjin e saj”, tha ai.
Ambasadori Hill tha gjithashtu se një nga përparësitë e tija kryesore do të jetë siguria e amerikanëve dhe personelit amerikan.
“Unë do të vazhdoj përpjekjet tona të gjata për të nxitur hetimin e plotë për vrasjen në vitin 1999 të vëllezërve Bytyqi, tre shtetasit amerikanë të ekzekutuar ndërsa ishin në paraburgim nga policia serbe. Unë jam i përkushtuar që t’i bëj presion qeverisë serbe që të sigurojë që personat e përfshirë të vendosen para drejtësisë”.
Ai tha gjithashtu se do të ndihmojë Serbinë që t’u rezistojë ndikimeve keqdashëse, përfshirë nga Rusia dhe Kina./voa