Këtë të shtunë, një vatër e madhe zjarri përfshiu territorin mes fshatrave Drizë dhe Peshtan, në njësitë administrative Qendër dhe Levan të Bashkisë Fier. Flakët nisën rreth orës 11:00 dhe vetëm në orën 20:20, pas një operacioni intensiv që zgjati mbi nëntë orë, situata u vendos plotësisht nën kontroll.
Të dhënat zyrtare tregojnë se nga zjarri u përshkuan rreth 100–110 hektarë sipërfaqe me shkurre dhe ullishte, ndërsa shkaku i shpërthimit të tij ende nuk është përcaktuar.
Të lidhura
None found
Përballimi i emergjencës u bë me një angazhim të gjerë forcash nga ajri dhe toka. Në operacion morën pjesë dy helikopterë dhe dy mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, 15 mjete zjarrfikëse nga disa bashki dhe institucione, katër autobote uji, 70 efektivë zjarrfikës, 35 ushtarakë, 40 punonjës të Policisë së Shtetit, pesë ekipe të urgjencës mjekësore, 15 punonjës të bashkisë, dy përfaqësues të Mbrojtjes Civile të Prefekturës, si dhe rreth 30 banorë vullnetarë.
Ndërhyrja e bashkërenduar nga toka dhe ajri bëri të mundur shmangien e dëmtimeve në banesa. Edhe pse flakët mbërritën deri në oborret e shtëpive, ato dogjën vetëm bimësinë përreth dhe nuk prekën strukturat e ndërtesave.
Si masë sigurie, shtatë familje që jetonin pranë zonës së rrezikuar u evakuuan përkohësisht. Nga kjo ngjarje nuk janë raportuar viktima apo të lënduar.
Gjatë natës, për të shmangur riaktivizimin e mundshëm të vatrave, zona do të vijojë të monitorohet nga dy mjete zjarrfikëse të MZSH Fier dhe dy patrulla të Policisë së Shtetit.
Në terren, operacioni u drejtua dhe u ndoq nga afër nga Prefekti i Qarkut Fier, nënkryetari i Bashkisë Fier, drejtori i Qendrës së Mbrojtjes Civile për Rajonin e Jugut, si edhe në prani të deputetëve të zonës.
