Alimehmeti: Nuk ka arsye për t’u shqetësuar mbi koronavirusin në Kinë

Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti ka qetësuar qytetarët përsa i përket situatës alarmante që është krijuar lidhur me rritjen e numrit të personave të infektuar me COVID-19 në Kinë dhe rikthimin ne virusit dhe masave të rrepta kundër tij.

Alimehmeti, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale i ka bërë thirrje qytetarëve të qetësohen dhe mbi të gjitha të mos bien preh e dezinformimit në media duke shpjeguar dhe arsyet pse ata nuk duhet të shqetësohen për ripërhapjen e virusit, duke shtuar se: Tri gjëra nuk mund të fshishen dot gjatë: dielli, hëna dhe e vërteta.

Postimi i plotë:

Tri gjëra nuk mund të fshishen dot gjatë: dielli, hëna dhe e vërteta.” Cit.: Buddha. Asnjë arsye për t’u shqetësuar nga Kina miqtë e mi mbi COVID-19! Kur një shtet prej rreth 1.4 miliardë persona ndryshon menjëherë strategjinë nga Covid-zero në hapje në dimër, nuk ka asnjë dyshim çfarë do të ndodhte.

Nivelet minimale të imunitetit natyrore dhe nivelet e ulëta të imunizimit me vaksina të dobëta kineze do të thonin vetëm një rritje të rasteve në Kinë. Kujdes: Vala që goditi Kinën dhe që është aktualisht në rënie nuk shkaktohet nga ndonjë variant i ri, por janë sërish forma të ndryshme të Omicronit që e kemi prej mbi një viti në Shqipëri dhe Europë. BF.7 dhe BQ.1 janë të dyja nënvariante të BA.5 e pranishme prej të paktën 8-9 muajsh në Shqipëri dhe Europë.

Në Shqipëri dhe Europë imuniteti kolektiv tashmë është i vendosur gjerësisht dhe asnjë nënvariant i Omicronit nuk gjen dot terren të virgjër, pra nuk mund të bëjë më dëme masive. Edhe në Kinë po të shohim të dhënat vërejmë të paktën dy elemente kyçe: Vala e rasteve të infektimeve ka të paktën dy javë që është në rënie (grafiku i sipërm). 

Humbjet e jetës ishin shumë më të larta me variantet e para (grafiku i poshtëm), ndërkohë që janë praktikisht pothuajse të papërfillshme gjatë valës së fundit të dhjetorit. Këto elemente i kemi shpjeguar më herët: Sa më shumë të jetë e imunizuar popullata (imunitet natyror kryesisht) aq më pak të dëmshme do të jenë valët e infektimeve. 

Sa më shumë të përshtatet virusi me njerëzit, aq më shumë infektime do të ketë por do të ketë gjithmonë e më pak humbje jete (fenomeni i homplazisë, ndryshe i njohur si evolucioni konvergjent). 

Si përfundim, rrini të qetë miqtë e mi dhe gëzoni festat me familjet. Fikni televizorët dhe bojkotoni çdo lajm, portal, televizion apo deklaratë që ka prirjen vetëm t’ju fusë në panik të panevojshëm.


Shtuar 31.12.2022 11:41