Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga vendimi që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa në Kosovë, por tha se po respekton kërkesat e faktorit ndërkombëtar për këtë çështje.
Gjithashtu, Kurti ka thënë se qeveria e tij nuk do të ndërhyjë në vendimin e Bankës Qendrore, të cilën e ka quajtur të pavarur në zbatimin e rregullores së saj, të hyrë në fuqi më 1 shkurt.
“Nuk mund ta kthejmë këtë vendim. Nuk do të kemi asnjë lloj mase ndëshkuese, nuk duam të ndëshkojmë askënd”, ka deklaruar Kurti.
Në një intervistë për mediat vendase, Kurti u pyet se cili është qëllimi i tij për serbët në veri të Kosovës, ku ata përbëjnë shumicën e popullsisë.
“Problemi nuk janë serbët e Kosovës, problemi është regjimi autokratik në Beograd, që është bashkëpunëtor rus. Është regjim që varet nga Kremlini. Ata janë duke e bërë këtë alarmimin para-apokaliptik, duke nxitur tensione etnike sepse ata duan të shkaktojnë probleme në rajon”, tha Kurti.
Sipas tij, tensionet e deritanishme nuk do të kishin ekzistuar nëse do të kishte njohje de facto dhe de jure të të gjithë rajonit nga Serbia, përfshirë edhe Bosnje e Hercegovinën.