Akuzohet se nxiti vetëvrasjen e 27-vjeçares, nis seanca për masën ndaj Altin Çokut

Ka nisur seanca gjyqësore në Gjykatën e Tiranës për masën e sigurisë ndaj Altin Çokut, i cili akuzohet se nxiti vetëvrasjen e 27-vjeçares Sibela Abedini. Ngjarja ndodhi pak ditë më parë në Kamëz.

Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

Dyshohet se e reja u hodh nga kati i katërt i një pallati, për shkak të një fotoje intime që Çoku i kishte shpërndarë në rrjetin social Tik-Tok.

39 vjecari ka edhe precedente të mëparshëm dhe rezulton i dënuar nga ish Gjykata e Krimeve të Rënda për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.

Si ndodhi ngjarja 

Sibela Abedini  kishte konflikte me bashkëshortin shqiptar të Kosovës, me të cilin ka edhe një vajzë 2 vjeçe, dhe gjatë kësaj kohe ishte njohur me Altin Çokun. Gjatë kohës së njohjes mes tyre ai i ka bërë foto intime gruas dhe më pas ia ka publikuar në Tik-Tok. Ajo i kërkonte të hiqte foton, por ky herë pretendonte se nuk e kishte publikuar vetë, ndërsa herë të tjera i kërkonte të vijonin lidhjen.

Rasti bëhet edhe më i rëndë, kur Altin Çoku dilte më zë e figurë duke realizuar video live në TikTok, në të cilat fliste për foton e publikuar të vajzës në rrjetet sociale. Në këtë video ai pretendon se foton e ka publikuar një shok i tij dhe jo ai vetë. Burime bëjnë me dije se 39-vjeçari ka publikuar foto te ngjashme intime edhe kohë më parë dhe po hetohet edhe për një rast tjetër në Laç, ku ka shantazhuar një vajzë tjetër.

Familjarët e së resë thonë se nuk kishin parë shqetësime të vajza dhe nuk e dinin që kishte pasur lidhje intime me Çokun. Tezja shkon edhe më tej duke pretenduar se 27-vjeçarja nuk është vetëvrarë, por se dikush e ka shtyrë dhe gishtin e drejton tek 39-vjeçari dhe shokët e tij. Ajo thotë se e reja ka punuar si sanitare për tre ditë tek shtëpia e Çokut. Nga ana tjetër, daja i 27-vjeçares kërkon nga drejtësia që Çoku të dënohet me burg përjetë ose në të kundërt do bëjë vetëgjyqësi.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më datë 10 shkurt, në rrugën “Teuta” në Kamëz. 27-vjeçarja nuk u ka mbijetuar dot plagëve të marra dhe ka humbur jetën në spital. Personazhi i TikTok-ut është arrestuar për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, ndërsa ende po vijohet me hetimet. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë, si edhe telefonin e së resë që kishte mbetur në tarracë, pasi ajo ndërmori aktin e rëndë./albeu.com


Shtuar 15.02.2024 09:56