“Ai plehra ka bërë ankesë”, tenderi që çoi në burg Fatos Tushen

Pas arrestimit të kryebashkiakut të Lushnjës Fatos Tushe dhe 11 punonjëve të Bashkisë Lushnje, është bërë publike dosja e SPAK.

Në dosje theksohet bashkëpunimi i Fatos Tushe dhe Flamur Peqini, Drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnjë. Bëhet fjalë për tenderin për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatin Bishqethëm dhe Bitaj.

Për të kryer punimet janë paraqitur në garë tre kompani: BOE Avdulli shpk dhe Bahas shpk; Hastoçi shpk dhe Euroalb shpk.

Në përfundim të afatit të paraqitjes së ofertave, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit, Margarita Gjermeni, ekonomiste, Gazmend Çela nëndrejtori dhe Xhemal Hasko përgjegjës i sektorit të ujitje të kullimit, kanë shpallur fituese kompaninë EuroAlb shpk që kishte paraqitur ofertën më të lartë 22.645.35. lekë pa TVSH me administrator Bujar Muratin.

Sipas dosjes së hetimit, në këtë moment përfshihet edhe kryetari Fatos Tushe. Rezulton se edhe pse firma EuroAlb shpk kishte fituar tenderin, punimet dhe përfitimin real të ardhurave, i kishte realizuar dhe përfituar paratë biznesmeni Ibrahim Lami.

Ky i fundit, ka lidhje të ngushtë shoqërore me Tushen dhe Peqinin, si edhe lidhje familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Murati.

“Hetimi ka evidentuar se edhe pse kjo firmë është shpallur fituese dhe me të është lidhur kontrata e datës 11.11.2020, punimet në fakt dhe përfitimi real i të ardhurave të kësaj pune i ka realizuar shtetasi Ibrahim Lami, i cili është në lidhje të ngushtë shoqërore e shtetasve Fatos Tushe dhe Flamur Peqini si dhe lidhje familjare e Buhar Muratit,” theksohet në dosje.

Ndërkohë, kompania Avduli ka bërë ankesë. Lidhur me këtë më dosje janë zbardhur përgjimet

“Aktet njoftojnë se kompania Boe shpk “Avduli” dhe “Bahamas” ka ushtruar në vijim ankim pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Për këtë arsye midis shtetasit Fatos Tushe dhe Ibrahim Lami, zvillohet bisedë në datë 5.10.2020, ku kërkohet prej Fatosit që Ibrahimi të ndërhyjë dhe të mbyllet ky problem”.

Biseda:

Lami: Ai ma nisi, ky Genti ma nisi mua…., ai plehra kishte bërë ankesë atje ai…

Tushe: Po e di unë atë plehrën, po shiko takoje atë njëherë ti thotë T…ta mbylli për punë tre katër ditësh.

Lami: Ja ti them B…, tashi, direkt tashi sa të shkoj…atë mirë e kam Elin…

Më pas rezulton se Komisioneri i Prokurimit Publik pasi ka shqyrtuar dokumentacionin ka vendosur që të mos pranojë ankesën e paraqitur nga BOE “Avdulli” dhe ka lejuar Autoritetin Kontraktor të vijojë me hapat e mëtejshme. Pas këtij vendimi  Autoriteti Kontraktor ka lidhur kontratë me me Euro Alb shpk për kryerjen e punimeve të kanalit.

Ndërkohë, sipas dosjes bisedat e zhvilluara në datat 18.01.2021, 20.01.2021 dhe 29.01.2021 njoftojnë se pavarësisht se në bazë të dokumentacionit rezulton se operatori ekonomik Euro Alb shpk ka dalë fitues në procedurën e prokurimit, punimet janë kryer nga shtetasi Ibrahim Lami. /albeu.com


Shtuar 8.07.2021 12:00