Abuzim me tenderin 143 mln lekë në UKT, dërgohen për gjykim 3 punonjësit dhe biznesmeni! Si favorizuan kompaninë që s’përmbushte kriteret

TIRANË- SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 3 punonjës të UKT-së, të cilët akuzohen se kanë abuzuar me një tender me vlerë 143.618.333 lekë, duke favorizuar një kompani e cila nuk përmbushte kriteret.

Prokuroria e Posaçme njofton se janë dërguar për gjykim 3 punonjësit, Ledia Ramo, Ortjon Dhami e Engjëll Dedja, të cilët dyshohet se kanë favorizuar kompaninë e Bledar Shemajt, ‘W Center’, për tenderin “Blerje kimikate dhe karbon aktiv për UKT sh.a”, të datës 11.01.2019.

Të tre punonjësit e UKT-së akuzohen për veprën penale ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’. Për gjykim është dërguar edhe biznesmeni Bledar Shemaj, ndaj të cilit rëndon akuza për vepravt penale ‘Falsifikim i dokumentave’ dhe ‘Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve’.

Shkelja në tenderin ‘Blerje kimikate dhe karbon aktiv për UKT sh.a’

Tre punonjësit akuzohen nga SPAK se gjatë procedurës së shqyrtimit të ankesave kanë ndryshuar njërin nga specifikimet, që kishte të bënte me figurimin në listëpagesa të një punonjësi manovrator të mjeteve të rënda (duke e hequr si kërkesë), me qëllim që të favorizonin shoqërinë “W Center” sh.p.k, të pandehurin Bledar Shemajt. Më pas gjatë vlerësimit të ofertave e kanë kualifikuar këtë shoqëri për marrjen e tenderit pavarësisht se nuk përmbushte njërin nga specifikimet e kërkuara, atë të pasjes nga ana e manovratorit të mjeteve të rënda të një leje drejtimi të vlefshme.

Ndërkohë që i pandehuri Bledar Shemaj, akuzohet se ka paraqitur në këtë procedurë prokurimi një kontrate pune duke paraqitur rrethana të rreme mbi punësimin e shtetasit Q.M në shoqërinë e tij (si manovrator i mjeteve të rënda), specifikim për të cilin kishte patur ankesa më parë nga operatorë të tjerë, si dhe ka paraqitur rrethana të rreme në deklaratën e plotësuar prej tij si dokument standard mbi kontratat e paraqitura për marrjen me qira të mjeteve me të cilat do të kryente shërbimet, në një kohë që nga zbatimi i kontratës rezulton se shërbimi është kryer duke përdorur mjete që i’u përkasin shoqërive të tjera.

Akuzat e ngritura nga SPAK

Ledia Ramo, Ortjon Dhami dhe Engjëll Dedja, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258, i Kodit Penal.

Bledar Shemaj, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumentave” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga nenet 186/1 dhe 190/1, të Kodit Penal.