Abulohet gara e F1 pas përmbytjeve katastrofike që goditën Italinë

Tetë persona kanë humbur jetën dhe disa janë zhdukur pas shirave të dendur që shkaktuan përmbytje në rajonin verior të Italisë Emilia-Romagna, thonë zyrtarët.

Rreth 10,000 njerëz janë evakuuar dhe disa u desh të shpëtoheshin nga çatitë me helikopter.

Autoritetet thonë se 14 lumenj kanë thyer brigjet e tyre, duke përmbytur 23 qytete. Kryetari i Ravenës thotë se qyteti i tij tani nuk njihet. 

Emilia-Romagna F1 Grand Prix e cila do të zhvillohej këtë fundjavë tani është anuluar.

Diskutimet të mërkurën midis autoriteteve lokale dhe organizatorëve të garës në Imola arritën në përfundimin se ngjarja nuk mund të vazhdonte.

Gjatë ditëve në vijim priten reshje të tjera shiu në rajon.

Në qytetin Cesena, banorët u ngjitën në çati dhe prisnin të shpëtoheshin me helikopter ose varkë.

Në Castel Bolognese, kryebashkiaku tha se situata ishte “katastrofike”, raporton Sofia Bettiza e BBC-së në Itali. Mijëra njerëz që jetonin në shtëpi njëkatëshe duhej të shpëtoheshin, shtoi kryebashkiaku.

Aktualisht nuk ka energji elektrike në qytet, shton korrespondenti i BBC. Njerëzit janë strehuar në palestra dhe shkolla në të gjithë Emilia-Romagna.

Presidenti i rajonit Stefano Bonaccini u bëri thirrje banorëve të mos shkojnë pranë lumenjve.

“Ata që jetojnë në zona afër rrjedhave ujore duhet të lëvizin në katet më të larta”, shkroi ai në një postim në Facebook të mërkurën.

Kryeministrja italiane Georgia Meloni kryesoi një takim krize me zyrtarë të mbrojtjes civile.

“Ka qenë ndoshta nata më e keqe në historinë e Romagna-s”, tha kryebashkiaku i Ravenës, Michele de Pascale për transmetuesin publik italian RAI.

Kryetari i bashkisë së Forlit aty pranë, Gian Luca Zattini, tha se qyteti i tij ishte “në gjunjë, i shkatërruar dhe me dhimbje”, raportoi agjencia e lajmeve AFP.

Në disa zona nuk është bërë e mundur matja e reshjeve, sepse sasia e ka tejkaluar atë që mund të regjistronin instrumentet e tyre.

Italia veriore ka kaluar nga thatësira e madhe në shira të dendur, me përmbytjen e fundit të shkaktuar nga stuhia Minerva, tha prezantuesi i motit në BBC, Chris Fawkes./Albeu.com/


Shtuar 17.05.2023 20:28