A paraqet investimi i Ratcliffe ndryshimin e nevojshëm për Man. United?

Ditë vendimtare për Manchester United. Procesi i shitjes së aksioneve të klubit ka hyrë në fazën e fundit dhe pas daljes nga gara të Sheikh Jassim bin Hammad Al Thani ka mbetur i vetëm Sir Jim Ratcliffe në tentativën për të zotëruar një pjesë të 20-herë kampionëve të Anglisë. Ndryshe nga Sheikh Jassim që synonte blerjen e plotë të klubit, miliarderi britanik kërkon vetëm 25% të United, aq sa është dhe përqindja e mjaftueshme për të marrë pjesë në vendimmarrjen sportive të skuadrës.

Një mbledhje e bordit të enjten do të përcaktojë fatet e klubit teksa gjasat janë të gjitha me Sir Jim Ratcliffe, që nuk ka më rivalitet në garën e tij. 12 anëtarë në bordin e Djajve të Kuq do të përcaktojnë nëse 1,4 miliardë paundët e ofruar nga britaniku për 25% të klubit janë të mjaftueshme apo jo.

Miliarderi i famshëm britanik i industrisë petrokimike, Ratcliffe, ka ruajtur një profil të ulët përgjatë të gjithë procesit, ndryshe nga Sheikh Jassim që me ambicien për të marrë 100% të klubit, mori më shumë jehonë. Jo vetëm për këtë arsye, por edhe projektin e fuqishëm që miliarderi kishte për rimëkëmbjen e Djajve të Kuq në skenën elitare të Anglisë dhe të kontinentit.

Rikonstruksion të plotë të Old Trafford dhe qendrës stërvitore Carrington, larjen e borxhit 477 milionë paundë të Glazers brenda klubit, afrimin e lojtarëve më të rëndësishëm, nën moton e rikthimin të United në lavdinë e dikurshme. Diskursi i Sheikh Jassim dhe përfaqësuesve të tij nuk i ka pëlqyer pronarëve Glazer, të cilët e kanë konsideruar nëncmim për punën që ata kanë bërë që kur blenë United në 2005 për 800 milionë paundë.

Me profil të ulët dhe me shumë pragmatizëm në negociata, Sir Jim Ratcliffe ia ka dalë që të kalojë pengesën e parë. Dorëzimin e Sheikh Jassim. Tanimë që rrugën e ka përpara i vetëm, i duhet të marrë miratimin e 12 anëtareve të bordit që udhëhiqet nga Joel dhe Avram Glazer.

Një nga ambiciet e Ratcfliffe është të zotërojë 100% të klubit në 2026, por për momentin një marrëveshje për vetëm 25% të aksioneve konsiderohet ideale.


Shtuar 16.10.2023 19:55