A e ka gati PS emrin e Presidentit të ri? Spiropali jep opsionin

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi se mazhoranca do të bashkëpunojë me opozitën për të zgjedhur presidentin e ri.

Në intervistën për “Quo Vadis”, ministrja u shpreh se akoma nuk ka asnjë emër konkret që mund t’i zërë vendin Ilir Metës. Por ajo shtoi se nuk ka asnjë kufizim që të jetë një figurë nga radhët e opozitës.

“Nuk është një mundësi për të bërë pazar politik, por hapet një diskutimn për zgjedhjen e presidentit të ri. Duam të krijohet një hapësirë ku mund të diskutohet edhe me opozitën, për një proces normal të një presidenti konsensual. Nuk kemi asnjë kufizim në këtë diskutim dhe pranojmë çdo debat, çdo propozim. Nuk qarkullon asnjë emër sepse është ende shumë herët”, ka thënë Spiropali.

Gjatë ditës së nesërme në Kuvend do të zhvillohet seanca për shkarkimin e presidentit Meta, ndërkohë që edhe pse mazhoranca mund ti ketë votat për ndërmarrjen e aktit, çështja do të jetë me shumë gjasa objekt i shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese.


Shtuar 8.06.2021 12:35