A do të pranonte refugjatë nga Gjermania? Përgjigjet Rama

Kryeministri Edi Rama mbrojti këtë të martë marrëveshjen me Italinë për strehimin në Shqipëri të një pjesë të refugjatëve që kapen në ujërat e Mesdheut nga autoritetet italiane.

Në emisionin “Repolitix“, Rama tha se strehimi i refugjatëve në vend nuk pritet të ndikojë në turizëm.

I pyetur nëse do bëjë një marrëveshje të ngjashme me Gjermaninë, nëse i kërkohet, kreu i qeverisë u përgjigj me “jo”.

Ai theksoi se marrëveshja është një “qasje strategjike ndaj një partneri strategjik”, ndërsa u shpreh i vendosur për miratimin në parlament, ku tha se kërkon shumicë të thjeshtë.

“Do ta çojmë marrëveshjen në parlament. Pala italiane donte të nisnim me këtë marrëveshje ndërqeveritare. Ne ua kemi bërë të qartë se do ta bëjmë këtë marrëveshje dhe do ia drejtojmë parlamentit. Zhurmat janë pjesë e jetës. Nuk janë zhurmat që drejtojnë vendimmarrjen e një qeverie. Nuk është favor personal, por qasje strategjike ndaj një partneri strategjik. Italia e vetmja që mund ta ketë një favor të tillë në Shqipëri. Është edhe gjeografia shumë e rëndësishme, jemi fqinj me Italinë, na ndan një det, por mund të ishim rajon i Italisë në kuptimin gjeografik. Një marrëdhënie e tillë dhe një marrëveshje e tillë me vende që janë shumë larg nesh, nuk bën sens”, tha Rama.


Shtuar 14.11.2023 21:40