Marrja e pushtetit në Afganistan nga talebanët e kthen vendin 20 vjet mbrapa. Kjo do të thotë që dy dekada janë në thelb të humbura për vendin dhe qytetarët, veçanërisht për gratë.
Siç mund të keni parë fotot ditët e fundit, përfaqësuesit e “seksit më të dobët” janë ata që ngelin pas, ndërsa burrat largohen nga vendi me çdo kusht. Madje, edhe duke u vrarur në goma avioni.
Në një kohë kur bashkësia ndërkombëtare zgjedh të shikojë larg, për gratë frika kthehet. Qysh në fillim të korrikut, kur talebanët filluan të pushtonin provincat e para në Afganistan, filloi “makthi” për gratë që punonin.
Sipas rrjetit Al Jazeera, talebanët, me armë në duar, i përcollën punëtoret në shtëpitë e tyre dhe i urdhëruan ata të mos ktheheshin në punë. Në fakt, tre punëtore dhe menaxherja e bankës thanë për Al Jazeera se, talebanët kishin vënë të afërmit e tyre meshkuj në ato vende pune.
Nga viti 1996 deri në vitin 2001, kur talebanët ishin në pushtet në Afganistan, gratë nuk lejoheshin të punonin, vajzat e reja nuk lejoheshin të shkonin në shkollë dhe të gjitha gratë ishin të detyruara të mbanin shami. Për të dalë jashtë duhej të ishin të shoqëruara nga një anëtar mashkull i familjes së tyre.
Më konkretisht, sipas raporteve të Departamentit të Shtetit në 2001, tetë rregullat që zbatoheshin për gratë, të vendosura nga regjimi taleban, ishin si më poshtë:
1. Ato duheshin mbuluar me rroba nga koka te këmbët.
2. Ata nuk lejoheshin të punonin, përveç në raste shumë specifike.
3. Ato nuk lejoheshin të shkonin në shkollë.
4. Ato kishin qasje të kufizuar në sistemin shëndetësor.
5. Ato nuk mund të dilnin nga shtëpia e tyre pa u shoqëruar nga një anëtar mashkull i familjes së tyre.
6. Kur dilnin jashtë, hipnin në autobusë specialë, ndërsa për të hipur në taksi, duhej të shoqëroheshin përsëri nga një burrë, i afërmi i tyre.
7. Në përgjithësi, gratë nuk mund të ecnin në rrugë pa u shoqëruar nga një burrë, që duhej të ishte një i afërm.
8. Dritaret e shtëpive të tyre duheshin lyer në mënyrë që asnjë kalimtar të mos shihte brenda.
Është logjike, pas gjithë kësaj, që gratë të kenë frikë për të ardhmen e tyre dhe për atë që do të lindë pas kthimit të talebanëve në pushtet. Sidomos nëse merret parasysh se, në rast të shkeljes së ndonjë prej rregullave të mësipërme, gratë ndëshkoheshin me rrahje dhe, në shumë raste, me vdekje me gurë./Përshtati e.b-albeu.com